Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 u trajtua ngjarja tronditëse e vdekjes së Doralda Dashit. Lot e dhimbje, por nuk munguan as akuzat për vdekjen tragjike të 32-vjeçares, e cila u gjet e varur në zonën e Liqenit Artificial, pasditen e 17 gushtit të këtij viti.

Nëna e së ndjerës pohoi se vajza ishte dhunuar sistematikisht nga bashkëshorti, deri në atë pikë sa edhe kishte abortuar fëmijën si shkak i kësaj dhune barbare. Por të forta kanë qenë edhe akuzat e babait, i cili akuzon për vdekjen tragjike të vajzës ish-dhëndrin e tij, për të cilin ai u shpreh se është autori i vrasjes së vajzës. Ditën e sotme kanë dalë fakte dhe dëshmi të reja lidhur me ditën e 17 gushtit kur Doralda u largua nga puna 15 minuta para orarit zyrtar.

Babai i Doraldës tha se për vendndodhjen e ish-dhëndrit ditën e ngjarjes, ishin dhënë tre adresa, duke e akuzuar hapur për vdekjen e saj.

“Motra më tha që një javë para vdekjes së Aldës i kishte thënë vet Alda që ish-burri i kishte thënë se do ta gjente vdekjen e varur në pemë. Nuk mund të akuzoj prokurorin apo gjyqtarin, por ngjarja është devijuar që te lajmërimi i vdekjes së vajzës. Në telefonin e vajzës u përgjigj një zë burri dhe i tha jam policia, dhe i ka pohuar se vajza ka bërë aksident, por gruaja i ka thënë që vajza nuk ka bërë aksident po e ka vrarë burri. Provat materiale i janë dhënë kushërirës së parë dhe janë prishur provat dhe vendi i ngjarjes. Kam kërkuar se ku ka dhënë shpirt vajza ime, oficerit të policisë ai më pohoi se është thellë në pyll , por unë shkova vet dhe e gjeta. Pashë një degë e hollë në një pemë në të cilën pretendohet se është varur vajza por ajo degë nuk mbante as 40 kg jo më vajzën time që peshonte 70 e ca kg.. Por atë ditë mjetet e vajzës i janë dhënë kushërirës së parë, mbi çantë u gjet një krehër me të cilin i ishin krehur flokët vajzës, kush ia krehu vajzës flokët. Kam kërkuar te oficeri policisë të jepja deklaratë, por nuk u pranua kurrë. Ata e kanë bërë vetëvrasje klasike. Unë nuk kam qëndruar i qetë, por kam lëvizur çdo gur. Ky ish-burri vajzës është marrë në pyetje vetëm atë ditë edhe asgjë. Për vendndodhjen e tij atë ditën e ngjarjes, na u pohuan 3 vendndodhje”, deklaroi babai i 32-vjeçares.

Kërcënimet e ish-burrit i pohoi dhe tezja e viktimës. Ajo hedh poshtë versionin zyrtar se mbesa kishte varur veten, duke treguar se Alda donte të bënte hundën operacion dhe kishte plane për jetën.

“Kam qenë shumë e lidhur me mbesën e kisha dritën e syve edhe unë. Alda një javë më parë se të ndodhte ngjarja më pohoi se ish-burri i saj e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë se do të var në pemë dhe gjithmonë e kërcënonte se do ta varroste te Mali me Gropa. Unë i kisha folur shpesh, por ajo e donte shumë atë. Unë piva një kafe me të dy, edhe me Aldën edhe me burrin e saj dhe mu dukën të qetë, dy muaj para se të ndodhte ngjarja. Alda më mori në telefon dhe më tha që teze duam të pimë një kafe bashkë. Mirëpo e pashë që ai as foli as nuk reagoi, edhe unë i thash vajzës pas takimit që mos vazhdo më me këtë histori sepse ajo ka mbaruar. Pas ngjarjes mua as policia e as prokuroria, por unë shkova vet në polici dhe i deklarova këto. Atë ditë që Alda u var unë piva një kafe me motrën time me mamanë e Aldës dhe i thash atë ditë që këtë gjë që më tha Alda për atë. Kjo ndarje e çiftit kishte shumë kohë dhe s’kishte pse të ndodhte se mund të themi që po e vuante kur u var. Ajo donte të bënte hundën operacion sepse ndihej keq estetikisht, unë i kisha thënë që mirë e ke dhe s’ke pse ta bësh, që ajo të ndihej mirë me veten”, tha tezja e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb