I ftuar në studion e News24, gazetari i hetimit Basir Çollaku ka lëshuar një seri denoncimesh shkatërruese për lidhjet e pushtetit me kartelët ndërkombëtarë të drogës, aferën e inceneratorëve dhe cenimin e sigurisë kombëtare përmes infiltrimit të kompanive kineze të sanksionuara nga Uashingtoni në sektorin e Mbrojtjes. Çollaku bëri me dije se në Senatin Amerikan është mbajtur një qëndrim pa precedent ndaj qeverisë shqiptare, ndërsa partnerët e huaj po ushtrojnë presion të drejtpërdrejtë mbi SPAK-un për të goditur përfituesit politikë.

Çollaku zbardhi prapaskenat e seancës së fundit në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan, ku Shqipëria u vendos në qendër të kritikave për shkak të fuqizimit të strukturave kriminale me mbrojtje shtetërore.

“Dje në Komisionin e Jashtëm në Senatin Amerikan janë shkulur veshët ndaj Shqipërisë. Është përmendur për herë të parë ndikimi i qeverisë dhe kartelët. Jo banda, kartel! Europol dhe partnerët ndërkombëtarë kanë bërë operacione ndaj grupeve kriminale të drogës që administrata në SHBA i quan terroriste. Do të kemi emra të tjerë të rëndësishëm që do të përmenden”, deklaroi gazetari.

Më tej, ai paralajmëroi zhvillime tronditëse lidhur me skemën e inceneratorëve dhe transferimin e parave të korrupsionit te krerët e mazhorancës: “Do të kemi ca zbulime interesante për përfituesit politikë të sasive të mëdha të parave. Do të kemi emra konkretë. Janë me pushtet, në mazhorancë dhe janë në tregun politik. Do të jenë emra kush kanë qenë postierët që kanë shkuar, kanë marrë miliona euro dhe i kanë shpërndarë te karriget e pushteteve. Këto nuk i kemi nga SPAK këtu, por nga partnerët e huaj që po ushtrojnë edhe presion ndaj SPAK sepse nuk ka kohë më për të humbur.”

Çollaku u ndal gjerësisht te modeli “KAYO” dhe infiltrimi i dyshimtë në ushtri, shëndetësi, energjetikë dhe të dhënat sekrete shtetërore përmes izraelitit Ron Yeffet dhe kompanisë TIMAK, duke ngritur alarmin e cenimit të drejtpërdrejtë të NATO-s.

“Rasti i KAYO-s, çfarë ka ndodhur? E kemi në ushtri, shëndetësi, bujqësi, rezervat e energjisë, tek të dhënat sekrete… Është Ron Yeffet. Ron Yeffet ka bërë xheloze edhe Ballukun, duke thënë se do merrej vetë me Ministrinë e Energjetikës, por u mor vetë me Ministrinë e Mbrojtjes. Ron Yeffet është lidhje personale e Ramës. Ky nuk përfaqëson qeverinë e Izraelit siç tenton Rama ta shesë”, nënvizoi gazetari.

Prapaskena më e rëndë ushtarake lidhet me bashkëpunimin e kompanisë TIMAK me struktura të lidhura me ushtrinë kineze, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së: “Futin në NATO dhe ushtri këtë Arjeta Puca, mikja e Ron Yeffet… Në njoftimet e saj publike kanë krijuar në vitin 2025 ‘Timak China’. Thotë do prodhojmë armë e makina me Kinën. Kanë marrëveshje me dy kompani, të cilat në vitet 2025-2026 janë të sanksionuara nga Pentagoni për lidhje me ushtrinë kineze për spiunazh ushtarak. NATO i sanksionon dhe ti shkon e bën biznese me këto kompani? Në dijeninë tonë Kina nuk është në NATO. Kjo është komedia e zezë që shet kryeministri.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb