AUSTRALI – Një i ri nga Britania e Madhe që emigroi në Australi për t’u bërë oficer policie ka vdekur, pasi është rrëzuar gjatë një feste për të shënuar fejesën e tij.

Liam Trimmer, 29 vjeç, preu një arterie karotide në qafë gjatë një aksidenti në shtëpinë e tij në Australinë Perëndimore (WA) të dielën. Edhe pse të afërmit u përpoqën ta ndihmojnë, Trimmer vdiq pak para se të mbërrinin mjekët, thanë autoritetet.

Kolegët thanë se polici ishte një oficer i jashtëzakonshëm që i pëlqente të ndihmonte komunitetin e tij. “Kjo është një kohë vërtetë e vështirë për policinë e WA,” tha komisioneri Col Blanch për mediat lokale të hënën, duke e përshkruar Trimmer si një djalosh të ri me energji, që kishte jetën përpara.

“Gjithçka u bë për ta shpëtuar atë, por nuk do të ndodhte dhe unë e di që të gjithë ata që u përfshinë janë me të vërtetë të lënduar për momentin. Unë mendoj se ata dëshirojnë që thjesht të zgjohen nga ky makth”, z. Blanch tha për 9 News Perth.

Policia nuk dha detaje të tjera për incidentin, duke thënë se rasti do të hetohej nga një mjek.

Arteriet karotide – të vendosura në të dy anët e qafës – janë enë kryesore që ofrojnë furnizim me gjak në tru. Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar i tha BBC-së se stafi i saj në Perth ishte në kontakt me Policinë e WA.

Trimmer ishte zhvendosur nga Britania e Madhe në Australi në vitin 2013 për t’iu bashkuar forcës policore vendase. Pasi u diplomua në akademi në 2017, ai u transferua në Kalgoorlie – rreth 600 km (370 milje) në lindje të Perthit – dhe punoi në njësitë e antikrimit të luftimit të bandave të policisë dhe njësitë e reagimit taktik. Ngushëllimet kanë shprehur edhe sindikata e policisë së shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb