Në selinë e UEFA-s në Nyon është hedhur sot shorti i raundit të tretë kualifikues të UEFA Champions League, ku Egnatia ka mësuar kundërshtarin e mundshëm nëse arrin të kalojë me sukses raundin e dytë.
Kampionët e Shqipërisë, të cilët siguruan një kualifikim historik pas fitores bindëse ndaj Petrocub, do të përballen fillimisht me skuadrën sllovene NK Celje në raundin e dytë kualifikues të kompeticionit.
Sipas shortit të hedhur nga UEFA, fituesi i çiftit Egnatia – NK Celje do të përballet në raundin e tretë me fituesin e përballjes FC Ararat-Armenia – Shamrock Rovers F.C. .
Ndërkohë, edhe në rast të eliminimit nga skuadra sllovene, kampionët e Shqipërisë do të vijojnë rrugëtimin europian. Egnatia do të kalonte në raundin e tretë kualifikues të UEFA Europa League, ku do të përballej me humbësin e çiftit Ararat Armenia – Shamrock Rovers.
Ndeshja e parë e raundit të dytë mes Egnatias dhe NK Celje do të zhvillohet më 22 korrik në “Arena Egnatia”, në orën 21:00, ndërsa sfida e kthimit do të luhet një javë më vonë në Slloveni.
Pas paraqitjeve mbresëlënëse në raundin e parë, Egnatia do të synojë të vazhdojë rrugëtimin e saj historik në UEFA Champions League dhe të hedhë një tjetër hap të rëndësishëm në arenën europiane, duke përfaqësuar futbollin shqiptar në kompeticionin më prestigjioz për klube në Europë.
