Shqipëria po përgatitet për një tjetër event madhor të futbollit europian, teksa janë përcaktuar 12 nga 16 skuadrat që do të marrin pjesë në finalet e UEFA European Under-21 Championship 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027.

Kombëtarja shqiptare U-21 është automatikisht pjesë e turneut si një nga vendet organizatore, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën finale të një Europiani U-21. Shqipëria do të jetë kështu pjesë e një turneu që do të sjellë në vendin tonë disa prej kombëtareve më të spikatura të Europës dhe talentet e së ardhmes së futbollit europian.

Deri tani, përveç Shqipërisë dhe Serbisë, kanë siguruar kualifikimin Belgjika, Kroacia, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Polonia, Portugalia dhe Spanja.

Në mesin e skuadrave të kualifikuara janë edhe kampionët në fuqi të Europës, Anglia, e cila ka fituar dy edicionet e fundit, si edhe Gjermania, Italia dhe Spanja, kombëtare me një histori të rëndësishme në këtë kompeticion.

Katër vendet e fundit për fazën finale do të përcaktohen përmes ndeshjeve play-off të muajit nëntor. Shorti për fazën play-off do të hidhet këtë të premte. Çekia, Danimarka, Finlanda, Greqia, Islanda, Holanda, Irlanda dhe Turqia janë ekipet Kombëtare që kanë siguruar fazën play-off.

Për Shqipërinë, ky Europian përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e futbollit të moshave, si dhe një mundësi për të mirëpritur në vendin tonë skuadrat dhe talentet më të spikatura të Europës U-21.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb