Ukraina do të marrë këstin e parë prej 3 miliardë eurosh të ndihmës makro-financiare prej 18 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian këtë javë.

Deklarata u bë nga Zëvendëspresidenti Ekzekutiv i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis në Twitter.

“Kam nderin të nënshkruaj memorandum të mirëkuptimit në emër të BE-së për t’i siguruar Ukrainës financimin e BE-së në vitin 2023, deri në 18 miliardë euro kredi. Pagesa e parë prej 3 miliardë eurosh do të vijojë këtë javë. Kjo do ta ndihmojë Ukrainën të mbulojë nevojat e saj gjatë gjithë vitit”, shkroi Dombrovskis në Twitter.

Sipas kryeministrit të Ukrainës, Denys Smyhal, “Ukraina dhe BE sapo kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për të ofruar 18 miliardë euro ndihmë makro-financiare. Ne presim të marrim një këst prej 3 miliardë euro këtë javë.”

Siç u raportua më herët, Këshilli i Bashkimit Evropian më 10 dhjetor mbështeti propozimin e Komisionit Evropian për të ndarë burime shtesë financiare për Ukrainën për vitin 2023. Programi i ri i ndihmës makro-financiare për Ukrainën do të arrijë në 18 miliardë euro. Pritet që fondet e huasë preferenciale të transferohen në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2023 në pjesë të barabarta, duke qenë se Ukraina përmbush kushtet për të cilat palët kanë rënë dakord.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb