Paketa e fundit e ndihmës amerikane për Kievin, e cila u miratua vetëm nga Kongresi pas më shumë se gjashtë muajsh grindje mes palëve mund të jetë vetëm fillimi i asaj që mund të jepet për Ukrainën sipas presidentit Zelensky.

Kievi është duke negociuar me administratën e presidentit amerikan Joe Biden për një marrëveshje afatgjatë që do ta bënte Uashingtonin t’i ofronte Ukrainës mbështetje ushtarake, ekonomike dhe politike për dekadën e ardhshme, tha Zelensky të dielën në fjalimin e tij të përditshëm me video.

Angazhime të tilla nevojiten për të siguruar që Ukraina të ketë “efikasitetin në ndihmën” që i nevojitet për të frenuar përparimet e fundit në fushën e betejës nga forcat ruse dhe për të fituar luftën, tha ai.

“Ne po punojmë që të angazhohemi për të dokumentuar nivele konkrete të mbështetjes për këtë vit dhe për dhjetë vitet e ardhshme”, tha Zelensky. “Do të përfshijë mbështetje ushtarake, financiare dhe politike, si dhe çfarë ka të bëjë me prodhimin e përbashkët të armëve”, theksoi ai.

Ukraina ka nënshkruar tashmë marrëveshje dypalëshe sigurie me disa anëtarë të NATO-s, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën. Zelensky tha se ai dëshiron që marrëveshja afatgjatë nën negociata me Uashingtonin të jetë pakti më i fortë deri më tani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb