Shqiptari Alket Rizai, i njohur në Greqi për arratisjet spektakolare nga burgu dhe si ish-bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit Vasilis Paleokostas, është përfshirë në një incident me armë zjarri në një bar plazhi në Anavyssos të Athinës. Ngjarja ka alarmuar autoritetet greke, pasi Rizai ndodhej jashtë burgut me leje dhe duhej të kthehej në Burgun e Domokos.

Sipas të dhënave të bëra publike, policia është njoftuar rreth orës 05:15 të mëngjesit për të shtëna me armë në zonë. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, nuk gjetën personat e përfshirë, por konstatuan dy gëzhoja dhe njolla gjaku.

Më vonë, policia u informua nga Qendra Shëndetësore e Kalivisë se dy persona ishin dërguar për të marrë ndihmë mjekësore. Bëhet fjalë për një 20-vjeçar grek, i cili kishte një plagë të shkaktuar nga fragmentet e xhamit në kyçin e këmbës, dhe një 41-vjeçar pakistanez, i cili kishte marrë një plagë plumbi në pulpë. Të dy rezultuan të ishin punonjës të biznesit.

Fillimisht, dëshmitë e tyre dhe ajo e pronarit të lokalit kanë qenë të ndryshme, ndërsa më pas policia ka rindërtuar një pjesë të dinamikës së ngjarjes përmes pamjeve filmike.

Sipas versionit që po hetohet, në një moment kur pjesa më e madhe e klientëve ishte larguar nga lokali, pronari uli muzikën. Rizai, i cili ndodhej aty së bashku me dy persona të tjerë, doli në parking dhe vendosi muzikë me zë të lartë nga automjeti i tij.

Pronari i biznesit doli jashtë dhe i kërkoi që të ulte zërin, pasi kishte frikë se zhurma do të sillte ndërhyrjen e policisë. Situata më pas u përshkallëzua në një konflikt, ku u përfshinë edhe persona të tjerë që dolën nga lokali.

Gjatë konfliktit, Rizai dyshohet se nxori një armë dhe qëlloi në ajër. Më pas, edhe një shtetas afgan që doli nga lokali, i cili dyshohet se punonte si roje sigurie, hapi zjarr. Nga të shtënat, plumbat kanë bërë rikoshet dhe kanë plagosur dy punonjësit e biznesit.

Pas incidentit, Alket Rizai dhe dy personat që e shoqëronin janë larguar me makinë, ndërsa edhe shtetasi afgan është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim.

Ndërkohë, pronari i lokalit është arrestuar për dhënie të dëshmisë së rreme lidhur me ngjarjen.

Rasti ka vënë në lëvizje policinë greke edhe për një tjetër arsye: Alket Rizai duhet të paraqitet të hënën në Burgun e Domokos, pas përfundimit të lejes. Nëse nuk kthehet në kohë, ai rrezikon të konsiderohet i arratisur, çka ka sjellë mobilizimin e autoriteteve greke për gjetjen e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb