Që prej dy javësh, ka pasur një rënie të shtrimeve në spitale të rasteve me koronavirus, ku në 24 orët e fundit janë shënuar 20 urgjenca. Ky fakt është bërë i ditur nga gazetari Erjon Skëndaj në një raportim live nga COVID1 për ‘News24’.

Ai pohoi se duke përfshirë dhe raportimet e djeshme, rezulton që të ketë 100 shtretër më pak të zënë në spitale, ndërsa thuajse të gjitha rastet cilësohen të rënda. Ndërkohë COVID 4 shërben si spital rehabilitim për post-covid. Duke u ndalur tek situata në spitalin Infektiv, flitet për shumë më pak urgjenca krahasuar me periudhën para 15 dhjetorit. Sipas Skëndajt, në Infektiv mendohet se ka 85 të shtruar nga 120 shtretër që ka spitali. Gazetari tha se në COVID 3 paraqitet më e mirë situata, pasi rreth 60% e shtretërve janë të zënë.

Ndër të tjera, mësohet se në Sanatorium janë 175 pacientë me COVID-19 të shtruar, nga 250 shtretër që ka në total. Një problematikë e evidentuar dhe më herët nga vetë mjekët, është dhe fakti se në spital rastet paraqiten të rënda, pasi pacientët preferojnë si fillim që të trajtohen në shtëpi dhe pas përkeqësimit të situatës ata i drejtohen spitaleve. Po ashtu, në spitalet rajonale janë duke u trajtuar diku tek 150-200 pacientë, në gjendje jo të rënduar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb