Teksa Ministria e Arsimit deklaroi se kishte pranuar kërkesën e maturantëve për të ulur pragun e pikëve të provimit të matematikës, këta të fundit duket se nuk janë kënaqur me pak.

Mësohet se maturantët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, pasi janë ende të paqartë në lidhje me mënyrën e uljes së pragut të pikëve të provimit. Ata kanë nisur që të grumbullohen para Ministrisë së Arsimit që prej orës 17:00, ndërsa kanë lexuar një kërkesë që i kanë drejtuar këtij institucioni.

“Ministria e Arsimit sot bëri me dije se ka ulur pragun e pikëve të provimit të matematikës. Falë protestës së këtyre ditëve, ne ja arritëm të bënim një ndryshim të tillë, por përpjekja jonë nuk do të ndalet me kaq. Ne jemi këtu për t’i kërkuar Ministrisë së Arsimit kërkesat për të cilat duket se ka bërë njërin sy qorr, e njërin vesh shurdh. Ne kërkojmë në mënyrë të menjëhershme që të na tregohet se si është ulur pragu i pikëve.

Ne nuk kemi nevojë vetëm për fjalë, por për paraqitje reale të pikëzimit të provimit. Përveç kësaj, ne kërkojmë që të anulohet VKM-ja e cila i jep peshë provimeve rreth 50%. Përpjekja jonë për uljen e peshës së provimeve në 30% do të vazhdojë. Ne duam t’i themi ministres së arsimit se nuk do të ndalemi deri në plotësimin e të gjitha kërkesave. Ne nuk jemi gënjyer dhe s’do të gënjehemi nga premtime të tilla boshe.

Gjithë këto ditë kemi kuptuar se forca e ndryshimit qëndron te ne si të rinj dhe banues të shkollave. Tani më shumë se kurrë, ne jemi të gatshëm të luftojmë jo vetëm për vete, por edhe për arritjen e një arsimi cilësor. Për gjimnazin! Për shoqërinë!”, u shpreh maturanti.

Maturantët kërkojnë t’u tregohet në mënyrë të menjëhershme, se si është ulur pragu i pikëve, duke shprehur shqetësimin se nuk kanë nevojë për fjalë, por për paraqitjen reale të pikëzimit të provimit.

Përveç kësaj, maturantët kërkojnë anulimin e VKM-së, e cila i jep peshë provimeve rreth 50%.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: