Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare, studiuesi i njohur Albert Riska.

Lajmin e ka ndarë Universiteti i Elbasanit ku përmes një njoftimi ka shprehur ngushëllimet për largimin nga kjo jetë të gjuhëtarit të njohur.

Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij shkencore iu kushtua gjuhës arumune dhe marrëdhënieve arumuno-shqiptare. Këto studime u trajtuan edhe në monografinë “Arumunët — shënime për gjuhën dhe kulturën”, botuar në vitin 2005.

Më 13 gusht 2026, gjuhësia shqiptare humbi një nga studiuesit e saj të përkushtuar, Prof. as. dr. Albert Riskën, i cili u nda nga jeta në moshën 62-vjeçare, duke lënë pas një veprimtari të gjerë në fushën e gjuhësisë historike, etimologjisë, onomastikës dhe studimeve arumune.

Albert Riska lindi më 8 shtator 1963. Studimet për Gjuhë-Letërsi i kreu në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, institucion me të cilin lidhi gjithë karrierën e tij akademike. Pas një përvoje të shkurtër si mësues, nisi punën si pedagog dhe për më shumë se tri dekada iu përkushtua mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e historisë së gjuhës shqipe.

Në vitin 2004 fitoi gradën shkencore “Doktor i shkencave”, ndërsa në vitin 2013 mori titullin “Profesor i Asociuar”. Për afro dy dekada mbajti edhe detyra drejtuese në Universitetin e Elbasanit, ndërsa gjatë viteve 2016–2022 shërbeu si dekan i Fakultetit të Shkencave Humane.

Riska ishte gjithashtu sekretar i Këshillit Botues dhe redaktor i Buletinit Shkencor të Universitetit të Elbasanit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në promovimin dhe publikimin e kërkimit akademik.

Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij shkencore iu kushtua gjuhës arumune dhe marrëdhënieve arumuno-shqiptare. Këto studime u trajtuan edhe në monografinë “Arumunët — shënime për gjuhën dhe kulturën”, botuar në vitin 2005.

Me veprën “Shqipja dhe krishterimi” (2012), ai u përqendrua në historinë e leksikut të besimit dhe toponimisë, ndërsa studimet e tij mbi apofoninë u kurorëzuan me monografinë “Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe”, botuar në vitin 2022.

Krahas kërkimit shkencor dhe veprimtarisë akademike, Prof. Riska ishte bashkautor i teksteve shkollore, përkthyes dhe redaktor. Në vitin 2018 botoi “Shqipja e qeshur”, një vepër përmes së cilës solli një tjetër dimension të marrëdhënies së tij me gjuhën, duke ndërthurur humorin e hollë me vështrimin e studiuesit.

Për kolegët dhe studentët, Albert Riska do të kujtohet jo vetëm për kontributin e tij në gjuhësinë shqiptare, por edhe për përkushtimin ndaj Universitetit të Elbasanit dhe brezave të studentëve që u formuan nën drejtimin e tij akademik.

Vepra e tij mbetet një trashëgimi e çmuar për gjuhësinë shqiptare dhe një kontribut që do të vijojë të jetë pjesë e studimeve mbi historinë, zhvillimin dhe pasurinë e gjuhës shqipe.

Në këto çaste të dhimbshme, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” u ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjarëve, të afërmve, kolegëve, studentëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin dhe të punonin me Prof. as. dr. Albert Riskën.

I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e Prof. as. dr. Albert Riskës!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb