Ky vit i ri akademik do të ofrojë më shumë mundësi për studentët, pasi universiteti “Luarasi” është në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje me një ndër universitetet më të rëndësishme të Bosnje Hercegovinës, universitetin e Zenicës.

Drejtuesit e universitetit “Luarasi” kanë pritur në një takim miqësor delegacionin nga Qendra për Inovacion dhe Shërbime të Ekselencës në Universiteti i Zenicës, ku kanë diskutuar për nisjen e një bashkëpunimi institucional midis dy universiteteve, duke filluar me firmosjen e një marrëveshjeje, e cila konsiderohet me prioritet në këtë bashkëpunim të ri.

Rektori i “Luarasit”, profesor Et’hem Ruka, duke u ndalur në karakterin ndërkombëtar të universitetit, ftoi stafin pedagogjik të universitetit boshnjak të ndajnë dijet dhe eksperiencën e tyre në auditorët e “Luarasit”.

Zëvendës rektorja e “Luarasit”, Ani Dasho, tha se partnershipi i nisur në kuadër të fondit për Ballkanin Perëndimor, ku “Luarasi” udhëheq projektin do të marrë një dimension të ri së shpejti, ku përfshihen edhe shkëmbimet e studentëve në kuadër të programit Erasmus.

Sakaq, Prof. Darko Petkoviç, drejtori i përgjithshëm i Qendrës së Inovacionit në Universitetin e Zenicës, u shpreh i kënaqur për vendosjen e urave të komunikimi mes dy universiteteve, teksa shtoi se bashkëpunimi nuk do të jetë vetëm në kuadër të Erasmus Plus, por edhe në thellimin e bashkëpunimit në fushën e Inovacionit.

“Ne vizituam për herë të parë universitetin “Luarasi”, por bashkëpunimi ynë ka nisur një vit më parë, si rezultat i një projekti të përbashkët. Në shtator do të nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit mes dy universiteteve tona. Kjo marrëdhënie do të hapë mundësi të reja për projekte të tjera të përbashkëta. Pres që së bashku të ulemi dhe të hartojmë një bashkërendim të punës në kuadër të programit Erasmus për t’i dhënë mundësi shkëmbimi studentëve dhe pedagogëve tanë”, u shpreh prof. Darko Petkoviç, drejtor i Qendrës së Inovacionit në Universitetin Zenica.

Universiteti “Luarasi” i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me universitete prestigjioze europiane e më gjerë. Strategjia e ndjekur deri tani ka synuar zgjerimin e hartës së bashkëpunimit me sa më shumë universitete, me qëllim rritjen e mundësive për stafin dhe për studentët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb