U përurua botimi i historianit Uran Butka “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945” në dy vëllime. Ky botim, i plotësuar me dokumente të papublikuara më parë nga arkivat britanike, amerikane, jugosllave, gjermane, italiane dhe shqiptare, paraqet interes të madh për njohjen e periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos të Luftës Civile në Shqipëri në vitet 1943-1945, që, sipas autorit, ishte një luftë e brendshme, e organizuar dhe e armatosur ndërmjet forcave politike e luftarake të asaj kohe: Lëvizjes NÇ dhe Ballit Kombëtar, mandej edhe të Legalitetit, përfshirë edhe masat popullore, që i mbështesnin ato, një luftë e përgjakshme me pasoja tragjike e shkatërrimtare.

Autori thekson se Lufta Civile nisi pas prishjes së Marrëveshjes kombëtare të Mukjes, pra, ishte pjellë e pasojë e mosmarrëveshjes dhe intolerancës në politikën shqiptare në atë kohë kritike, sidomos në luftën për pushtet, por edhe e nxitur nga shtetet apo qarqet politike që kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri. Ajo i rreshtoi shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre, në dy pjesë armiqësore dhe ndërluftuese.

Luftën civile në Shqipëri e kanë pohuar dhe raportuar thuajse të gjithë oficerët britanikë, që kanë vepruar në atë kohë në Shqipëri: B.Maklin, gjenerali Dejvis, F.Lik, D. Smajl, P.Kemp, J.Emer, R.Hibbert, A.Kuejl, Palmer, Seymur, Hill, Simkoks, Smith, Llajën e të tjerë, si edhe komandanti i Forcave Aleate të Mesdheut, gjenerali Uilson.

Autori zbërthen shkaqet, qëllimet, forcat lëvizëse dhe përballjet ushtarake në çdo rreth e krahinë të Shqipërisë, duke rrëfyer në mënyrë të dokumentuar pasojat tragjike të kësaj lufte, si edhe viktimat.
Lufta civile është ana e panjohur, pjesa vetëvrasëse e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Duhet ta nxjerrim nga heshtja, ta njohim e të reflektojmë ndaj saj, duke kapërcyer mosmarrëveshjen, urrejtjen, shfaqjet e reminishencat e frikshme që rrezaton ende ajo luftë; duhet të çlirohemi nga pengjet e tabutë e së shkuarës, për të kuptuar më mirë gjendjen tonë të sotme dhe për t’i bërë ballë si qytetarë plotësisht të lirë e me vetëdije të qartë të nesërmes, thotë autori. Po botojmë pjesë nga botimi “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”.

NGA URAN BUTKA*

MASAKRA E 4 SHKURTIT 1944
Më 4 shkurt 1944 u organizua një terror ushtarak dhe u bë një masakër e përgjakshme në kryeqytet realizuar nga Xhaferr Deva, ministër i Brendshëm.
Natyrisht që gjithçka bëhej me dijeninë e autoritetit gjerman të pushtimit, por pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të tij. Komanda e Përgjithshme gjermane urdhëronte forcat e veta në Tiranë: “Grupet nacionaliste kanë ndërmend që sot (natën) të bëjnë një kundëraksion. Komanda e Përgjithshme urdhëron për në Tiranë gatishmëri të trupave. Të gjithë pjesëtarët e trupave gjermane në postat e shërbimit të qëndrojnë jashtë kësaj grindjeje (konflikti)”

Konflikti lindi nga që atentatorët komunistë bënë më 3 shkurt 1944 në Tiranë dy atentate, njëri kundër njerëzve të Ballit Kombëtar dhe tjetri kundër Xhaferr Devës, me anën e të cilit ai u vra adjutant i tij.

“Xhafer Deva ishte shënuar në posterat e komunistëve si armik i përbetuar i tyre, – shkruante Nojbaher, i plotfuqishmi i Hitlerit në Ballkan- “Si personalitet antipod me Mehdi Frashërin, në qeveri Xhaferr Deva ishte ministër i Punëve të Brendshme. Ai mbeti i paplagosur nga një atentat, viktimë e të cilit pat rënë vetëm adjutanti i tij… Parulla e Devës në këtë lëvizje ishte: “Terror kundër terrorit”.
Gjatë natës së 3 shkurtit dhe ditës së 4 shkurtit, sipas deklarimeve të Nacionalçlirimtares u vranë 84 veta: ilegalë komunistë dhe qytetarë të pafajshëm, ndërsa u arrestuan dhe u torturuan qindra të tjerë. Ky numër është i pasaktë, i ekzagjeruar, siç i frynte shifrat propaganda komuniste.

Në dokumentacionin e prokurorisë së shtetit asaj kohe, viti 1944, janë regjistruar vetëm 13 viktima.
Në një studim të G.Bushatit jepen edhe emrat e tyre:
1.Vangjel Capo
2.Todi Shkurti
3.Hasan Rexhep Çeliku
4.Sokrat Vangjel Tako
5.Mihal Jani Koço
6.Vinçenzo Apel,
7.Reveni Ludovico Carlo
8.Gjergji Legjizi
9.Xhemal Sojlin
10.Haki Huta
11.Maliq Huta
12.Ali Selim Ferra
Dy kufomat mbeten të pa identifikuara. Mid’hat Frashëri, në emër të Ballit Kombëtar, u distancua nga këto veprime terroriste, hakmarrjeje dhe nga masakra e 4 shkurtit. Ai u drejtohet komiteteve krahinorë të Ballit Kombëtar më 7 shkurt 1944: “Më 3 të këtij muaji komunistët bënë në Tiranë dy atentate, një nga të cilët ishte kundër njerëzve tanë. Në këtë atentat u plagosën rëndë dy nga tanët dhe u vranë katër nga të kuqtë. Për atentatin tjetër, janë bërë burgime dhe ekzekutime, me të cilat nuk ka të bëjë organizata jonë. Në qoftë se komunistët, sipas zakonit, do të ngarkojnë Ballin Kombëtar me këto veprime, argumenti që do të përdorni asht ky: Balli Kombëtar edhe nëpër qytetet që i ka në dorë si në Berat, Fier, Vlorë, Lushnjë, Kavajë, Shijak, Elbasan, Gjinokastër, Delvinë, Sarandë, Konispol, Pogradec e Korçë, nuk ka marrë këso masash reprezaljeje, veçse asht mbrojtur kurdoherë.”

Krahas terrorit të kuq dhe si kundërvënie ndaj tij, u shfaq i frikshëm edhe terrori i zi. Ekstremi i djathtë kërkonte ta përdornin këtë masakër si një mjet presioni, frike e hakmarrjeje kundër ekstremit të majtë, që godiste pa skrupull.

Po më 28 shkurt njerëzit e Xhaferr Devës dhe xhandarët e Hysni Demës masakruan katër komunistë në Tiranë, si edhe varën Muhamet Gjolleshën në mëngjesin e 29 shkurtit pranë sheshit të Pazarit të Ri.
Edhe terrori i kuq u përgjigj me të njëjtën frymë e veprim: “Duhet t’u marrim hakun…! Duhet t’u marrim gjakun…” dhe “Parulla e fundit për ne: Gjaku do gjak! Kështu do t’i përgjigjemi reaksionit armik”.

Propaganda e shtypi i të dy anëve parapërgatitnin goditjet e kundërgoditjet terroriste.
Në këto rrethana të një anarkie dhe të një lufte civile, kryetari i Regjencës, Mehdi Frashëri, pas bisedimeve me Nojbaherin, kërkoi ndryshime në qeverinë e R.Mitrovicës.
Qeveria ishte në krizë, por edhe Regjenca.

Ngjarja e 3-4 shkurtit reflektohet edhe në dokumentet britanike. Në dosjen e inteligjencës ushtarake SOE, me kod HS 5/96 datë 17 shkurt 1944, theksohet: “Më datën 3 shkurt 1944 – një atentat i pasuksesshëm raportohet të ketë ndodhur në jetën e Xhaferr Devës, ministër i Brendshëm dhe kolaboracionist i njohur… Qeveria shqiptare u tërhoqi vëmendjen për të fundit herë gjithë atyre që bashkëpunojnë, simpatizojnë apo ndihmojnë terroristët dhe komunistët. Toleranca ka ardhur në fund dhe ata që veprojnë kundër interesave të vendit, do të ndëshkohen rëndë”.

Në këtë dokument jepen të regjistruara edhe lajmet e Radio Tiranës në datat 3, 5 dhe 7 shkurt 1944 lidhur me këto ngjarje terroriste dhe paralajmërimet e qeverisë Mitrovica.

MASAKRA E DUNICËS NË MOKËR
Në Mokër, batalionet e Brigadës I së bashku me batalionin “Reshit Çollaku” rrethuan në befasi 500 forca balliste në fshatin Dunicë. Të gjitha shtigjet ishin zënë gjatë natës. Në mëngjesin e 5 marsit 1944 nisi lufta ndërmjet forcave nacionalçlirimtare të këtyre batalioneve dhe forcave nacionaliste të komanduara nga Haki Blloshmi. Ata që përpiqeshin të dilnin nga rrethimi partizan, mbeteshin të vrarë. Në ndeshjen e parë u vranë Sabri Blloshmi, Ali Beshtogu, Isuf Façja, Shaban Leka, Nel Blloshmi, Tafil Belba, Istref Belba dhe u plagos rëndë Shefqet Belba. Në ndeshjen e dytë, më 7 mars, një pjesë e të rrethuarve prej 60 vetash, pasi iu bë thirrje se nuk do të dënoheshin, u dorëzuan. Robërit u lidhën dhe u rreshtuan për t’u pushkatuar. Komanda e Brigadës I premtoi se robërit do të liroheshin, nëse do të dorëzohej Haki Blloshmi. Duke mos pasur mundësi tjetër për të shpëtuar shokët, Hakiu u dorëzua në besë, që të mos pushkatoheshin shokët, por e rreshtuan me të tjerët dhe e pushkatuan tok me 17 krerët e çetave nacionaliste: Xhevdet Blloshmin, Shefqet Blloshmin, Refat Belbën, Sadik Trebinjën, Bajram Trebinjën, Bajram Blloshmin, Xheladin Selcën, Adem Kaprin, Adem Velçanin, Dervish Çelën etj. Gjithsej 18 të pushkatuar, përveç të vrarëve në betejë. Një masakër e përgjakshme në Mokër..

Sipas komunikatës së Brigadës I: “Pas një lufte prej dy orësh, u zunë robër më shumë se 400 ballistë, u vranë më shumë se 70. Në këtë luftë u zunë edhe komandantët e Ballit si Haki Blloshmi etj. Nga ana e brigadës ranë dëshmorë tre luftëtarë, midis të cilëve edhe Irakli Terova, zëvendëskomisar batalioni”.
A nuk ishte luftë civile kjo?

Dushan Mugosha, që merrte pjesë në këtë luftë, shkruante: “Gjithë rajonin e Mokrës Brigada I e pastroi nga ballistët e kryesuar nga Haki Blloshmi”.

Një muaj më vonë, sipas urdhrit që kishte marrë direkt nga KQQ i PKSH, datë 24 mars 1944 për kapjen dhe ekzekutimin e Tele Baçit, Tuk Jakova njoftonte nga Mokra KQ të PKSH: “Urdhri i partisë sonë u zbatue në rregull. Dora e drejtësisë ra mbi tradhtarin e dallaveraxhinë e poshtër, Tele Baçin”. Këto epitete nuk i kishte komandanti nacionalist Tele Baçi kur kishte bashkëpunuar me Reshit Çollakun dhe me forcat e Brigadës I në luftë kundër pushtuesve, por kur ai iu kundërvu luftës civile dhe për këtë shkak u largua nga Nacionalçlirimtarja, u quajt armik e tradhtar i poshtër dhe u vra.

Lufta civile i shkaktoi vendit më shumë viktima sesa lufta kundër pushtuesve. Edhe vetë Lëvizjes nacional-çlirimtare. Ja sesi e përshkruan Mehmet Shehu këtë situatë: “Në Mokër forcat partizane të vendit i lamë shumë të dobëta, të demoralizuara, në panik.., në Gollobordë asnjë partizan në këmbë. Dibra nën influencën e Ballit, në Martanesh reaksioni në kulm, asnjë partizan… Mati krejt zogist, krahinat e Dajtit, të Shëngjergjit e të Zaranikës qëndrojnë në dy karrige, i nënshtrohen çdo force.”

MASAKRA E MARTANESHIT
Një nga masakrat më të shëmtuara të M.Shehut dhe të Dushan Mugoshës ishte ajo e Martaneshit, më 5 mars 1944. Brigada I marshonte nga Kaptina në Shëngjerg. Në fshatin Peshk pati një shkëmbim zjarri në largësi, që shkaktoi vrasjen e një partizani, Kamber Sadikut. Me urdhër të M.Shehut, partizanët u futën në çdo shtëpi të fshatit dhe arrestuan burrat që gjetën, nga një për çdo shtëpi, ndoshta edhe më tepër. Pleqtë dhe gratë vikasnin: “Pse i merrni lidhur? S’kanë bërë asgjë të keqe? Partizanë apo ballistë jeni? Kështu s’i ka marrë as gjermani!”

I rreshtuan për t’i pushkatuar, por doli nga radhët partizane zv/komandanti i batalionit partizan të Martaneshit Hysen Peshku dhe kundërshtoi: “Këta janë të pafajshëm, shoku komandant! Këta që janë rreshtuar për t’u pushkatuar, shumica janë baballarë e vëllezër të partizanëve të çetës së Martaneshit, nuk janë armiq.” Mehmeti dha urdhër që të rreshtohej edhe ai bashkë me ta dhe dha urdhër për zjarr. Kështu u vranë 22 njerëz krejt të pafajshëm, me në krye kryeplakun e tyre, Rremë Çelën. Viktimat e tjerë ishin: Hysen Peshku, Ibrahim Çela, Musa Balla, Fejzulla Grica, Shaban Grica, Rexhep Grica, Riza Grica, Abdulla Grica, Sulë Balla, Asllan Gurra, Ali Gjoka, Qerim Gjoka, Sulë Peshku, Kamber Peshku, Islam Çela, Liman Hasballa, Isa Çela, Gëzim Koçi.

Më pas M.Shehu u përpoq t’i lante disi duart nga kjo përgjakje, kur shkruan se “partizanët e Brigadës I luftuan 6 orë me xhandarët e Abaz Kupit dhe tradhtarët e Martaneshit, se në Martanesh pushkatuam 25 xhandarë e ballistë”, ndërsa historianët e justifikojnë: “Martaneshi i djegur si bazë e partizanëve, si një pishtar i lëvizjes, që i kish dhënë dërmën aty e një viti më parë ushtrisë fashiste italiane, tani po i kthente pushkën Ushtrisë NÇ. Gjithçka tregonte se Brigada nuk mund të dilte nga Martaneshi pa u ndeshur me armiqtë…Një ndikim veçanërisht të madh në shpartallimin e armiqve në Martanesh, pati pushkatimi, pas një gjyqi të shkurtër partizan, i disa reaksionarëve të kapur robër. Pasoja e saj pozitive u ndie menjëherë”.

Në radhë të parë, Martaneshi nuk ka qenë asnjëherë bazë e ndikimit të A.Kupit dhe se A.Kupi nuk ka pasur as luftëtarë e as xhandarë në Martanesh… Martaneshi ka qenë një krahinë më tradita patriotike dhe luftarake, vatër e lirisë dhe e luftës antifashiste. Martaneshi nuk i ka kthyer pushkën Ushtrisë NÇ, siç thuhet në Historinë e Luftës NÇ, por nacionalçlirimtarja i ktheu pushkën Martaneshit, duke pushkatuar 25 njerëz të pafajshëm, mandej pushteti komunist e quajti krahinë reaksionare dhe e persekutoi për këtë shkak për 50 vjet me radhë.

Së dyti, nuk u bë asnjë gjyq, madje edhe vetë M.Shehu në veprën e vet të parë, nuk pretendon se është bërë një gjyq. E thonë falsifikatorët e historisë, ata që e justifikojnë këtë masakër kolektive: “Brigada I nuk mund të dilte nga Martaneshi pa u ndeshur me armiqtë”.
Së fundi, e quajnë me ndikim veçanërisht të madh këtë masakër për shpartallimin e armiqve, sikur këta të ishin pushtues të huaj dhe jo fshatarë martaneshas. E quajnë me “pasoja pozitive” pushkatimin e 22 njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm të Martaneshit! Po a ka masakër me pasoja pozitive? Kjo është mendësia, strategjia e praktika e drejtuesve komunistë të PKSH, të cilët e përcollën këtë strategji e praktikë terroriste edhe në strategjinë e praktikën Luftës NÇ.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb