Marinsat ukrainas, të cilët janë bashkuar me regjimentin e Azov për të mbrojtur Mariupolin nga forcat ruse, janë zotuar të bëjnë çfarëdo që duhet për të mos lejuar vënien e qytetit nën kontrollin e plotë të forcave ruse.

Marinsat ukrainas kanë postuar video nga brenda qytetit të rrethuar duke kritikuar shokët që u dorëzuan dhe duke u zotuar të bëjnë çfarëdo që duhet për të rezistuar, raportoi Daily Mail.

Kremlini kishte pohuar se rreth 1000 ukrainas të strehuar në uzinën e çelikut Azovstal ishin dorëzuar dje.

Por mbrëmë, komandanti i brigadës së 36-të të marinës Serhii Volyna dhe komandanti i regjimentit ultranacionalist Azov Denys Prokopenko postuan një video duke thënë se nuk do t’i dorëzohen kurrë forcave të Putinit.

“Ne kryem një operacion të suksesshëm me regjimentin Azov. Ne u bashkuam me ta dhe kryem një rigrupim të suksesshëm. Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyra luftarake. Morali ynë është i fortë. Ne e dimë se çfarë po bëjmë dhe pse jemi këtu. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të përfunduar me sukses misionin tonë”, deklaron në një video të shpërndarë Volyna.

Rezistenca është përqendruar në uzinën Azovstal, pasi nëse forcat ruse do të merrnin kontrollin e saj, do të kishin edhe kontrollin e plotë të qytetit.

“Dje u bashkuam me luftëtarë të denjë nga batalioni i marinsave, ushtarë të vërtetë, heronj që i qëndruan besnikë betimit të tyre, besnikë ndaj popullit ukrainas dhe që vazhdojnë të mbrojnë qytetin me ne. Këta janë burra të vërtetë që kanë zgjedhur rrugën e luftës. Mos bëni heronj nga dezertorët dhe burrat që u dorëzuan. Ata zgjodhën rrugën e turpit. Në asnjë mënyrë nuk duhet ‘i konsiderojmë heronj këta njerëz”, ka deklaruar Prokopenko.

Sot në mëngjes, burimet e inteligjencës britanike kundërshtuan pretendimet ruse se ata kishin pushtuar qytetin, duke thënë se mbrojtja e vazhdueshme e Ukrainës aktualisht po bllokon një numër të konsiderueshëm trupash dhe pajisjesh ruse.

Dje, Kremlini transmetoi pamjet në televizionin shtetëror që pretendonte se forcat ruse kanë marrë tashmë nën kontroll qytetin, pas dorëzimit të trupave ukrainase.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb