Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përshëndetur votimin e ligjit për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Në një status në Facebook, Basha shkruan se Kosova me ushtrinë e vet do jetë kontribut i shtuar për paqen e sigurinë në Ballkan.

“Përshëndes votimin e ligjit që i hap rrugën krijimit të ushtrisë së Kosovës. Kosova me ushtrinë e vet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët euro-atlantikë dhe me aspiratën e antarësimit në NATO, do të jetë një kontribut i shtuar për paqen dhe sigurinë në Ballkan,” shkruan ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar të tre projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Projektligji për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës është miratuar me 96 vota pro .

Ky projektligj rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

 (BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb