Ushtria izraelite u bëri thirrje në orët e para të mëngjesit banorëve në jug të Libanit që të evakuohen menjëherë nga disa zona në qytetin e Tirit dhe përreth tij, duke paralajmëruar nisjen e sulmeve të reja ajrore kundër lëvizjes shiite Hezbollah.
Sipas njoftimit të forcave izraelite, urdhri i evakuimit përfshin të paktën katër ndërtesa në qytetin e Tirit dhe katër të tjera në zonat pranë tij. Ushtria izraelite pretendon se objektivat lidhen me aktivitetet e Hezbollahut, organizatë e mbështetur nga Irani.
“Për sigurinë tuaj, duhet të evakuoheni urgjentisht dhe të shkoni në zonat në veri të lumit Zahrani”, deklaroi në platformën X zëdhënësi arabishtfolës i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee.
Paralajmërimi vjen pavarësisht armëpushimit që, teorikisht, është në fuqi që prej 17 prillit, ndërsa tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut vijojnë të mbeten të larta.
Qyteti i Tirit, një nga zonat më të rëndësishme në jug të Libanit, është goditur disa herë gjatë muajve të fundit nga sulmet ajrore izraelite, në kuadër të përplasjes së vazhdueshme me Hezbollahun përgjatë kufirit libanezo-izraelit.
