TIRANË

Vajza e ish-zevendës kryeministrit Niko Peleshi ka reaguar pas deklaratave nga eksponentë të opozitës për pjesëmarrjen e saj në protesta. Aleksia Peleshi thotë se i ka mbështetur protestuesit në kauzën e tyre, por se nuk i është bashkuar protestës.

Ajo shkruan në një postim në Instagram se i qëndron statusit të publikuar dy ditë më parë ku shfaqeshin dhe pamje nga protesta, ku ka dënuar aktin e policit që vrau 25-vjeçarin Klodian Rasha duke kërkuar përgjegjësi morale për të qetësuar revoltën, por të tjerat sipas saj janë trillime gazetareske.

Po kështu ajo ka dhe një reagim për deklaratat nga PD.
“Unë nuk kam qenë në protestë. I kam mbështetur protestuesit në kauzën e tyre, por nuk i jam bashkuar protestës. Kam publikuar një status të cilit i qëndroj ku kam dënuar aktin e policit dhe kam kërkuar përgjegjësi morale për të qetësuar disi revoltën e atyre që ndihen të pasigurt nga një akt kaq i rëndë i një polici. Më vjen mirë që ky akt është dënuar publikisht dhe ministri ka marrë përgjegjësi morale. Të tjerat janë trillime gazetareske për të shitur disa kopje më tepër. Unë e kuptoj që Partia Demokratike nuk e lë as një rast kaq tragjik sa ky pa përfituar, por fjalët e mia nuk janë për t’u përdorur për të fshehur nxitjen e vazhdueshme që PD po iu bën disa protestuesve që tani janë bërë shumë të dhunshëm (jo të gjithë, ka plot protestues që protestojnë për humanizëm). Turp që një tragjedi e tillë përdoret si pretekst për interesa partiake! Dhe kjo nga një parti hipokritësh që për vite me radhë ka shfaqur dhunë, për më tepër dhunë të urdhëruar, si ajo e 21 janarit”, shkruan Aleksia Peleshi.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Alexis (@aleksiapeleshi)

Dy ditë më parë ajo shkruante se ka mbështetur protestën e organizuar në Tiranë, pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha duke shkruar se ngjarja ishte e rëndë dhe tragjike dhe se populli “ndjen pasiguri”.

“Ngjarja tronditëse e së martës më la të heshtur për ditë me radhë sepse për një tragjedi të tillë, fjalët nuk kanë më vlerë. Kemi nevojë që dikush të mbajë përgjegjësi morale edhe nëse s’është shkaktar direkt i kësaj makabre.
Populli ndjen pasiguri. Në vend të Klodianit mund të ishte secili prej nesh. Ndoshta jo unë. Mua më mbron mbiemri që kam. Po Klodianin, kush e mbronte? Po qytetaret e tjerë, kush i mbron?
Klodiani nuk do të kthehet më, por reagimi i shpejtë i ministrit duke marrë përgjegjësi për ketë ngjarje kaq të rëndë mund t’i kthejë qytetarëve të frustruar e të trembur besimin se kjo është një ngjarje e veçuar, që nuk përfaqëson gjithë policinë. Besimin se në këtë vend, ka edhe drejtësi. Ka edhe reflektim.
Unë sot jam me protestuesit. Jo me ata protestues që shfrytëzojnë tragjedi të tilla për të bërë lojëra politike, jo. Jam me ata protestues për të cilët asgjë nuk është më e rëndësishme se sa jeta e një njeriu të pafajshëm, që vraponte nga frika, pa kuptuar se po vraponte drejt vdekjes”, shkruante vajza e Niko Peleshit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb