Pas shtimit të infektimeve në Kinë, SHBA po shqyrton vendosjen e kufizimeve të reja Covid-19 për të ardhurit kinezë, pasi Pekini njoftoi se do të rihapë kufijtë e tij muajin e ardhshëm .

Zyrtarët amerikanë bëjnë me dije se kjo vjen për shkak të mungesës së transparencës mbi virusin nga qeveria kineze, pasi dhe rastet e infektimeve janë në rritje.

Vendet fqinjë të Kinës, si Japonia, Malajzia dhe Tajvani , janë të shqetësuara për importimin e rasteve Covid-19, duke vendosur masa të rrepta për udhëtarët kinezë, përfshirë dhe ata që rezultojnë negativë në testet e kryera. India po ashtu po rrit masat për udhëtarët që vijnë nga Kina.

Autoritetet e imigracionit të Kinës, kanë thënë se aplikimet për pasaporta për qytetarët kinezë që dëshirojnë të udhëtojnë ndërkombëtarisht do të rifillojnë nga 8 janari.

Linjat e fluturimeve kanë raportuar një rritje të trafikut, duke frikësuar kështu disa vende për përhapjen e mundshme të Covid-19.

“Ka shqetësime në rritje në komunitetin ndërkombëtar për rritjet e vazhdueshme të Covid-19 në Kinë dhe mungesën e të dhënave transparente, duke përfshirë të dhënat e sekuencës gjenomike virale,” kanë thënë zyrtarët amerikanë në një deklaratë për media.

Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Wenbin ka akuzuar vendet dhe mediat perëndimore për një “shtrembërim të politikës Covid-19 në Kinë”.

Ai tha se Kina besonte se përgjigjet e të gjitha vendeve ndaj Covid-it duhet të jenë “të bazuara në shkencë dhe proporcionale” dhe “nuk duhet të ndikojnë në shkëmbimin normal njerëz-me-njerëz”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: