Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance të hënën e këshilloi Vatikanin të merret me çështjet shpirtërore dhe “morale”, në sfondin e sulmeve të përsëritura verbale të Presidentit republikan Donald Trump ndaj Papa Leo XIV .

“Po, mendoj se në disa raste do të ishte më mirë që Vatikani të merrej me çështjet morale … dhe t’ia linte hartimin e politikave presidentit të Shteteve të Bashkuara”, tha zëvendëspresidenti për Fox News.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të dielën se nuk është tamam një “fans i madh” i Papës amerikan, pasi më parë e kritikoi atë për një predikim kundër luftës nga kreu i Kishës Katolike Romake.

Republikani ka bërë pretendime të gjera se Leo XIV mbështet programin e supozuar të armëve bërthamore të Iranit, kundërshtoi pushtimin ushtarak të Venezuelës nga SHBA-të në janar dhe u takua me mbështetës të paraardhësit të tij demokrat Barack Obama, ndër të tjera.

Ndërsa udhëtonte në Algjeri, Leo XIV tha dje në mëngjes se kisha ka një “detyrë morale për të folur me qartësi absolute kundër luftës”, duke shtuar se “mesazhi është gjithmonë i njëjtë: të promovojë paqen”.

“Nuk kam frikë nga administrata Trump, as nga të folurit me zë të lartë dhe të qartë për mesazhin e ungjillit”, shtoi ai.

Përpara deklaratave të J.D. Vance në Fox News, Presidenti Trump tha se nuk do t’i kërkonte falje Leo XIV, të cilin e përshkroi si “shumë të dobët” dhe “të tmerrshëm” për sa i përket politikës së jashtme amerikane.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan u përpoq të qetësonte protestat – veçanërisht nga e djathta e krishterë amerikane, e cila shihte blasfemi dhe narcisizëm – për një imazh, me sa duket të krijuar me ndonjë mjet të inteligjencës artificiale, që e paraqiste atë, pak a shumë, si… një Jezu Krisht të ri, duke siguruar se nuk e konsideronte atë të natyrës fetare.

Ai e hoqi imazhin nga llogaria e tij në Truth Social pas rreth 12 orësh.

“Mendova se po më portretizonte si mjek” dhe se “kishte të bënte me Kryqin e Kuq”, të cilin “ne e mbështesim”, siguroi Donald Trump gazetarët. “Më portretizonte si një mjek që i bën njerëzit të ndihen mirë. Dhe unë i bëj njerëzit të ndihen shumë më mirë”, këmbënguli ai.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb