Italia vijon të përballet me valën e katërt radhazi të të nxehtit këtë verë, me temperatura që kanë arritur nivele të larta në disa zona të vendit. Në Romë, termometri shënoi sot 38 gradë Celsius, ndërsa temperatura e perceptuar nga trupi arriti deri në 42 gradë për shkak të kushteve atmosferike.

Për shkak të vapës së fortë, Papa Leo XIV vendosi të ndryshojë vendin e zhvillimit të audiencës së përgjithshme të së mërkurës. Në vend që të mbahej në sheshin e Shën Pjetrit, siç ndodh zakonisht, takimi u zhvillua brenda Bazilikës së Shën Pjetrit.

Pas pushimit të shkurtër gjatë muajit korrik, Papa u rikthye në takimin tradicional me besimtarët katolikë që mbërrijnë në Romë nga dhjetëra vende të botës. Gjatë ceremonisë, kreu i Kishës Katolike bekoi rreth 5 mijë pelegrinë, shumica prej të cilëve nga Polonia.

Ndërkohë, Zyra e Shtypit e Vatikanit njoftoi se Papa Leo XIV do të zhvillojë udhëtimin e tij të radhës apostolik nga 6 deri më 17 nëntor, me ndalesa në Uruguai, Argjentinë dhe Peru.

Gjatë vizitës në Peru, Papa do të ndalet edhe në qytetin e Çikljajos, ku ka shërbyer si ipeshkëv nga viti 2015 deri në vitin 2023. Ky do të jetë udhëtimi i pestë apostolik i Papës Leo XIV që nga nisja e pontifikatit të tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: