FUSHË KRUJE- Një varr i ri dhe pa emër sipër. Kjo ka çuditur të gjithë banorët e fshatit Shelqet të komunës Nikel, të cilët janë befasuar me gjurmët që vinin nga varrezat, në një kohë kur të gjithë pyesnin se kush kishte ndërruar jetë. E pikërisht në këtë varr ishte varrosur 34-vjeçari Keisi Elion Hysa, i cili rezultonte i zhdukur prej 9 ditësh. Por si ra në gjurmët e viktimës policia? Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka zbardhur për ‘BalkanWeb’ itinerarin që policia kishte ndjekur për të zbuluar vendndodhjen e të riut që ishte vrarë dhe më pas groposur.

Haxhiaj tha se pasi policia e Kubrinit ndaloi pronarin e mobilierisë, shtetasin Hysni Rama, dhe i vuri në përgjim telefonin e tij krijoi dyshime të arsyeshme se ai bashkë me një tjetër person, konkretisht shtetasin me inicialet A.T, e kishte vrarë dhe më pas e kishte varrosur 34-vjeçarin në varrezat e fshatit të tyre. Pas hetimit me metoda shkencore dhe përgjimeve të telefonatave, policia shkoi në fshatin dhe pyeti banorët e fshatit nëse kishin parë njerëz në varrezat, ndërsa ata shprehën dyshimet e tyre për varrin e ri.

Ndaj, me urdhër të prokurorit të Krujës, policia vendosi të hapte varrin e ri, ndërsa u zbulua kështu edhe vendndodhja e të riut që ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij. Ndërkohë, shumë pranë varrit u gjetën edhe dy armë, një pistoletë dhe një pushkë, ndërsa i riu ishte qëlluar me një plumb në kokë. Mes të tjerash ka dyshime se i riu pasi është vrarë, është varrosur përgjatë natës në varrezat e fshatit Shelqet, për të mos rënë në sy të banorëve të zonës.

Nga dëshmitë e familjarëve të viktimës, 9 ditë më parë 34-vjeçari kishte takuar pronarin e mobilerisë në zonën e Krujës dhe që pas asaj dite ai ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Drejtoria vendore e Policisë Durrës nga të dhënat e para ka përjashtuar si pistë të vrasjes për shkak të hakmarrjes, ngjarjen e ndodhur në Sarandë, ku Hysa akuzohet se vrau pronarin e një lavazhoje në 2015-ën. Aktualisht policia po heton rreth dy pistave, asaj të një borxhi të pashlyer, apo dhe përfshirjen në ndonjë bandë të narko-trafikut.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb