Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD-së Sali Berisha në parlament.

Spiropali e cilësoi Berishën “varrmihësi i sistemit elektroenergjetik shqiptar”.

Ajo deklaroi se qeveria e Berishës, miliarda lekë ujë i fali dhe ato vlerësohen sot në 8 muaj e parë të këtij viti në 26 mijë tonë naftë.

“Sapo foli varrmihësi i sistemit elektroenergjetik shqiptar. Përveçse nuk qeshim dot se është për të qarë dua t’i rendis disa fakte që ai dhe qeveria e tij i bënë sistemit.
Gjithë ajo stihi populiste mbi energjia elektrike do jepet falas. Po e nis atëherë kur e dinte mirë se çfarë bënte. E mbani mend privatizimin e OSHE në 2010 dhe ky operacion korruptiv që është dhe sot në hetim në SPAK la plagë të rënda dhe ende të pashëruara plotësisht në sistem. Nuk u hyj fakteve me ato të merret SPAK-u. Kush i kishte dalë për zot, kush ishte sekseri dhe ndërmjetësi. Në 2012 dhe në fillim të 2013 i bënte thirrje CEZ-it ju lutem na hapni dritat dhe në ujësjellësa. Këtë fuqi dhe këtë kontroll kishit ju mbi sistemin në momentin që e dorëzuat.
2011-2013 u firmos projekti i kalimit të gazsjellësit të TAP. Qeveria juaj vendosi për demontimin dhe shitjen për skrap të TEC-it të Fierit, nuk dha arsye, e shiti për skrap. Po të bësh llogarinë sot të asaj që do na sillte TEC-i i Fierit, llogaritë do ishin ndryshe. Po zvogëlimin e portofolit publik, shitët HEC-et, Shkopetin, Ulëzën, dy Bistracat. Ia dhatë kompanisë për të shlyer TVSH-të që i kishit borxh. Po dhënia e ndërtimit të HEC-it Ashka 1 dhe Ashka 2.
Duhet t’i privatizonit siç bëtë. HEC-i që do ndërtohej, HEC Bushat ishte për të optimizuar prodhimin e plotë. Qeveria juaj, ai që foli këtu është ai që këto miliarda lekë ujë i fali dhe ato vlerësohen sot në 8 muaj e parë të këtij viti në 26 mijë tonë naftë”, tha Spiropali.

Ajo theksoi se humbjet në rrjetin elektrik të OSHEE-së kanë ardhur duke u reduktuar në çdo vit dhe kanë mbërritur në nivelin më të ulët historik.

“Në 2012 litari i mbetur jashtë, ndërtimi dhe mosvënia në operim e TEC-it Vlorë. Hodhën në det 150 mln euro. Po të ishin këto asetet e KESH-it, nga llogaritë që bëhen nga ekspertët, del që ne nuk do kishim nevojë për të blerë sot. Pasi e rrënuat sistemin, pasi na u desh nga 2013 deri sot të konsolidojmë sistemin energjetik, ju na flisni sot për performancën e ministrisë e të OSHE-së. Humbjet në rrjetin elektrik të OSHEE-së kanë ardhur duke u reduktuar në çdo vit dhe kanë mbërritur në nivelin më të ulët historik. Nga 45.4%, sot 19%. Për herë të parë në shtator 2022 kemi nivelin më të ulët të humbjeve, 14.9%.
Arkëtimet, 38 mld arkëtonit ju, 63 mld arkëtohen sot. Nuk rrihet sot në radhë për të paguar energjinë. Sot ka zyra shërbimi.
Siç e bëtë në shtator 2021, kur ne e paralajmëruar krizën në tregjet e energjisë, ju në kor thoshit ja për çfarë krize po flasin këta, duan t’i hedhin hi syve qytetarëve. Kur kriza u ul këmbëkryq në Europë, për shkak të luftës së njeriut më të urryer të civilizimit, Putinit, sulmet në Ukrainë u eksportuan në gjithë Europën, kur çmimet e energjisë u rritën deri në 50% në vendet e BE-së, familjet shqiptare dhe biznesi nuk e ndjenë sepse ne vendosëm ta subvenciononim.
Sot që jemi në epokën e rrezikut, sot ku inflacioni i luftës po prek çdo familje, ne ende kemi vendosur ta mbrojmë qytetarin, biznesin duke mos rritur çmimin. Ç’gojë keni ju që të flisni për këtë çështje. Pse e pengoni HEC-in e Skavicës, investim amerikan, pse e pengoni HEC-in e Vlorë, portin e Vlorës”, tha Spiropali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb