TIRANE – Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësuar qesharake kërkesën e  vazhdueshme të kryetarit të PD-së për dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta, pas akuzave të ngritura nga deputeti Tom Doshi, se kreu i kuvendit ka porositur vrasjen e tij dhe të deputetit Mhill Fufi. Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha se “Basha është i vetmi shqiptar që nuk mund të kërkojë dorëheqjen e Metës, pasi të gjithë qytetarët e dinë se është i akuzuar për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në mega aferën e rrugës Durrës-Kukës”.
“Kërkesa e vazhdueshme dhe sigurisht qesharake e kreut të PD-së lidhur me dorëheqjen e kryetarit të kuvendit, kërkesë kjo nga e cila kreu i PD-së do të bënte mirë të hiqte dorë sa më parë, për arsye se kreu i PD-së është i vetmi shqiptar që nuk mund ta bëjë një kërkesë të tillë, pasi të gjithë qytetarët e kanë në mendje se ky person është akuzuar për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në mega aferën e rrugës Durrës-Kukës. Akuzë e cila është aty sot e kësaj dite dhe për këtë akuzë ky person nuk e dha dorëheqjen nga pozicioni i ministrit. Me makinacione pa fund i shpëtoi gjykimit, duke vazhduar të mos jepte dorëheqjen ndërkohë që nuk pranoi që kjo çështje të gjykohej në themel për të zbardhur të vërtetën e vjedhjes së 230 milionë dollarëve. Edhe sot e kësaj dite kreu i PD-së vazhdon të jetë i akuzuar nga organet më të larta të drejtësisë së këtij vendi, dhe si i tillë vazhdon të mbetet shembulli i politikanit më negativ për raportin e tij me ligjin. Kërkesa e tij e vazhdueshme vazhdon ta bëjë me qesharak atë dhe PD-në.”-deklaroi kreu i grupit të LSI-së.

Sipas Vasilit, “Meta ja hoqi merakun doktorit për hetim të ndershëm, sepse e ftoi atë që të përballet në prokurori, së bashku me Doshin, duke ballafaquar atje të vërtetat. Doktori ka një frikë të vazhdueshme për tu përballur me prokurorinë, edhe kur është akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për vepra të rënda penale”.

Lidhur me protestën e paralajmëruar të opozitës, Vasili tha: “Protestat janë një e drejtë në demokraci, që se ka vënë njeri në diskutim”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: