TIRANE- Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka shprehur ngushëllime familjes së shkrimtarit Fatos Arapi, i cili u nda sot nga jeta në moshën 89-vjecare. Meta thotë se vepra e tij e pasur dhe kontributi i jashtëzakonshëm, do të mbeten unikale në letërsinë shqipe.

“Me hidhërim të thellë e mësova lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit e përkthyesit Fatos Arapi. Vepra e tij e pasur dhe kontributi i jashtëzakonshëm, do të mbeten unikale në letërsinë shqipe, si dëshmi e një individualiteti me kontribute të vyera. I veçantë dhe i paharruar do të mbetet për mua takimi me të, kur student 20-vjeçar, e ftova për një bisedë me një grup studentësh të Fakultetit të Ekonomisë. Thjeshtësia, modestia dhe mirësia e tij në komunikim, na la mbresa të veçanta të gjithëve dhe e bëri figurën e tij edhe më shumë të dashur për të gjithë ne.

Këto cilësi i jepnin një vend e një dimension të veçantë në raportet njerëzore e shoqërore, pasi vepra e tij fliste vetë. Ndaj dhimbjen e thellë për humbjen e këtij njeriu të veçantë dhe i përcjell ngushëllimet më të thella të gjithë familjarëve dhe të afërmëve të tij. I përcjell ngushëllimet gjithë miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të të paharruarit Fatos Arapi- është shprehur Meta në mesazhin e ngushëllimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb