Piero Angela, i pagëzuar si “patriarku italian” i gazetarisë dhe popullarizimit të shkencës në televizion, ka ndërruar jetë në moshën 93 vjeçare, njoftoi sot familja e tij.

“Rrugëtim të mbarë në përjetësi, baba”, shkroi Alberto Angela në një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, duke bërë të ditur vdekjen e babait të tij.

I lindur në Torino në vitin 1928, Piero Angela e filloi karrierën e tij në gazetari në “RAI” si gazetar radioje, ndërsa më vonë u bë korrespondent dhe prezantues lajmesh.

Popullariteti i tij i gjerë në botën e televizionit ka të bëjë me programet popullore shkencore, që themeluan një traditë solide të dokumentarëve shkencorë në televizionin italian.

Piero Angela gjithashtu është autor i shumë librave kushtuar shkencës: Në Kërkim të Jetës në Kozmos (1980), Makineria që Mendon (1983); Oqeanet (1991), Sfida e Shekullit (2006), Përse Duhet të Bëjmë më Shumë Fëmijë (bashkë-autor me L. Pinna, 2008); Për Çfarë Duhet Politika? (2011), Pas Kuintave të Historisë; Jeta e Përditshme në Kohëra (bashkë-autor me A. Barbero, 2012), Udhëtim në Mendje: Të njohim trurin që të jetë i shëndoshë (2014), 13 Miliardë Vjet, Sytë e Mona Lizës (2016) etj.

Në vitin 2017 botoi autobiografinë e tij e titulluar “Rrugëtimi im i Gjatë. Në vitin 2004 iu akordua titulli Oficer i Lartë i Urdhërit të Meritës së Republikës së Italisë, si dhe titulli Kalorës i Kryqit të Madh të Republikës së Italisë në vitin 2021.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb