TIRANË

Detaje të reja zbulohen nga historia që tronditi Tiranën dhe jo vetëm, që nisi me një pengmarrje e përfundoi me vrasje. 49-vjeçari Jan Prenga sipas policisë ka vdekur që më 17 janar, ditë kur u rrëmbye në Kamëz për shkak të dhunës dhe gjakderdhjes, ndërsa trupi i tij mendohet se është groposur në zonën e Shijakut por ende nuk është gjetur.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se Jan Prenga ka pasur një emër tjetër vite më parë. Sipas saj, 49-vjeçari quhej Dod Prenga dhe e ka ndërruar emrin në Greqi ku ndodhej si emigrant duke e bërë Jan Prenga. Ai nuk ka pasur precedentë penalë dhe rrëmbimi e vrasja e tij ka ardhur për shkak të konflikteve të vëllezërve të tij për çështje droge.

“Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit J. P., kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit A. H. Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng”, njoftoi sot policia.

Prenga ka ndërruar jetë pa mbërritur te resorti lukzos në pronësi të Altin Hajrit, i cilësuar nga autoritetet italiane si “kapo” i drogës. Ndërkohë, për ngjarjen kriminale janë arrestuar Bajram Hajri, djali i tij, Leonard Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb