Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi me medaljen “Mirënjohja e Qytetit” poeten dhe autoren e teksteve të këngëve, Zhuliana Jorganxhi, në 75-vjetorin e saj të lindjes. Në një pritje në Bashki, ku përveç artistes së mirënjohur, ishin të ftuar edhe emra të tjerë të artit si: Enver Shëngjergji, Alida Hisku, Justina Aliaj, Zhani Ciko, Robert Radoja, Shqipe Zani, Agim Krajka, Liljana Kondakci, Edith Mihali, Ilir Cumani, Sivana Brace, kryebashkiaku u shpreh i lumtur që, në 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet, qyteti po nderon një nga personazhet më frymëzues të tij.

“Zhuliana Jorganxhi është kujtimi ndoshta më i pastër i fëmijërisë sime, i atyre këngëve, poezive, vjershave e vargjeve. Të falenderoj që na ke frymëzuar në një kohë shumë, shumë të vështirë, kur jo vetëm fjala duhet të përzgjidhej për të frymëzuar, por kur fjala duhej të përzgjidhej për të mos u censuruar, për të mbijetuar e për të dhënë kurajo në kohë të vështira, në kohë të tranzicionit. Jam shumë i lumtur që je rikthyer në Tiranë në këtë 100-vjetor dhe të nderojmë me këtë medalje si një nga figurat më frymëzuese të këtyre 100 viteve”, u shpreh Veliaj.

Edhe vetë artisja, mjaft e dashur sidomos për ata që janë rritur me këngët e saj, u shpreh tejet e vlerësuar dhe mirënjohëse për nderimin në përvjetorin e 75-të të lindjes. “Ju jam shumë mirënjohëse për nderin e madh që po më bëni. Ju uroj shëndet dhe suksese gjithmonë e më të mëdha! Lulëzoftë arti dhe kultura, jo vetëm në Tiranë, po në gjithë Shqipërinë. Ju jam shumë, shumë mirënjohëse”, u shpreh Jorganxhi.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb