Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, në fjalën e mbajtur në Asamblenë e PS-së në njësinë numër 8 deklaroi se Partia Socialiste është një parti e madhe që qëndron e bashkuar.

Veliaj theksoi se politika e vjetër nuk e përçan dot PS-në, kurse shtoi se Partia Socialiste mban premtimet që bën.

“Ne jemi si një familje. Të gjitha gëzimet dhe hidhërimet kalohen më mirë në një familje të madhe si Partia Socialiste e Shqipërisë. Rrënja e fjalës bashki është bashkë, ne i bëjmë gjërat të gjithë të bashkuar. Mamaja ime ka punuar si sanitare. Me këtë dua të them se ne një parti, ku hapen dyert për këdo që është punëtor, çdo gjë është e mundur.

Ne jemi fëmijët e punëtorëve, pavarësisht profesionit. Është shumë më mirë të jesh djalë i një njeriu të ndershëm, sesa të atij që është djali i kryeministrit dhe jeton me këta para. Ata e shohin politikën si bingo, si plaçkë. Ata e shohin politikën për të na përçarë, por ne jemi bashkë. ne i mbajmë premtimet tona, nuk jemi si pala tjetër. Bulevardi i ri tashmë është projekt i realizuar”, tha ndër të tjera Veliaj.

Veliaj tha se PS punon për njerëzit, ndërsa rivalët politikë mendojnë vetëm për veten e tyre.

“Po të shikosh, sa herë që ndezim televizorin, edhe ne, edhe ata disa fjalë i kemi të përbashkëta: lista ata, lista ne. Pyetja është: Çfarë listash? Ne e filluam ditën me listën e shtëpive të reja për tërmetin, me listën e pagesave të dëmshpërblimeve për tërmetin, me listën e ndihmës ekonomike të atyre që kanë humbur punën gjatë pandemisë, me listën e personave me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për ndihmë shtesë, me listën e kredive të buta të atyre që do të marrin shtëpinë e re, me listën e investimeve të rrugëve që ne do të vazhdojmë nga “Frigoriferi”, deri tek Bregu i Lumit, me listën e shkollave të reja që do të bëjmë në këtë njësi, me listën e djemve dhe vajzave që dolën me 10-ta nga gjimnazi “Partizani”. Kjo është lista jonë. Lista e tyre ishte: Ku jam unë për deputet? Ku jam unë tek koalicioni? Ku jam unë tek elektorati?” “Ku jam unë…”, është lista e tyre, kurse për ne është, “ku është mundësia që t’iu shërbejmë njerëzve në çdo listë të nevojave të tyre”. Kjo është diferenca,” u shpreh Veliaj.

Më tej, veliaj duke dhënë një shembull, tha se Bashkia Tiranë jep kredi të buta për njerëzit që janë realisht në nevojë.

“Adjola, – një zonjë e mrekullueshme, e divorcuar dhe që rrit 3 fëmijë, – ishte përfituese e kredisë së butë, – asaj që ndoshta disa njerëz thonë: “hë, se 1 mijë kredi të buta”, “hë, se 1 mijë shtëpi”, – po shtëpia është diçka për të cilën prindërit tanë, nënat tona kanë punuar gjithë jetën. Kredia e butë për Adjolën është një mundësi se si ajo në vend që të paguajë interesat në bankë, në vend që të paguajë qiranë çdo muaj, ajo blen 1 metër katrorë të një shtëpie që iu ka lënë fëmijëve dhe do ta ketë tërë jetën. Ne jemi partia e Adjolës, jo si qëllim në vetvete, por si mjet që me këtë pushtet të qeverisë dhe të bashkisë ne të bëjmë këto punë,” u shpreh Veliaj.

Erjon Veliaj nënvizoi se PS ka në rrënjën e vet bashkimin dhe fuqinë, e jo përçarjen a ndasitë.

“Ajo që ne na ndan me a ta nuk është të majtë, apo të djathtë, por është fakti që një forcë njihet si një forcë e punës dhe një forcë tjetër njihet si një forcë e dhunës, e shkatërrimit. Diferenca tjetër mes nesh dhe atyre nuk është e majtë e djathtë, por është fakti që ne mundohemi t’i bashkojmë njerëzit. Ne themi “edhe një”, ata thonë “minus një”. Diferenca mes nesh dhe atyre është që ne i bëjmë gjërat me dashuri, ne nuk kacavirremi nëpër kangjella të shkojmë të prishim takimet e tyre, sepse ne besojmë që fuqia jonë buron nga zemra, nuk buron nga muskuli, buron nga mendja, nuk buron nga grushtet, buron nga pasioni nuk buron nga inati,” deklaroi Veliaj.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb