Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë si i ftuar në samitin “Strong Cities” në Nju Jork, për të folur mbi zhvillimin e qyteteve në dekadën e fundit, duke përfshirë edhe menaxhimin e krizave dhe sfida të tjera. Ai gjithashtu u ndal edhe në shtetin e Ohajos, ku ndoqi nga afër atletët elitarë të Sport Klub Tiranës, të cilët po stërviten në fushat e “Kompleksit Sportiv Atletët në Veprim”, si parapërgatitje për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Në fjalën e mbajtur në Nju Jork, Veliaj u shpreh entuziast për faktin se Tirana është jo vetëm pjesë e forumeve të tilla, por shihet si shembull suksesi i një qyteti të transformuar. “Është krenari e jashtëzakonshme që Tirana është gjithmonë pjesë e paneleve ku flitet për qytetet, për të rrëfyer historinë e transformimit të saj. Jam shumë krenar për çka kemi arritur të gjithë bashkë. Kur takoj kryetarë bashkish, që drejtojnë qytete shumë më të konsoliduara se Tirana, të cilët kanë ardhur në Tiranë dhe më thonë se kanë parë një qytet të pastër, një vend të sigurt, me kriminalitet minimal, kanë parë sa shumë zhvillime janë bërë në një kohë shumë të shkurtër, ndihem vërtet krenar për qytetarët e mi. Kryetari i Bashkisë dhe skuadra e tij kanë rolin e tyre, por nëse ne të gjithë si qytetarë, nuk do t’i kishim përqafuar këto ndryshime, atëherë nuk do t’ia kishim dalë”, tha Veliaj.

Ai vuri në dukje se shumë problematika, me të cilat përballen shumë qytete më të mëdha se Tirana, kryeqyteti ynë i ka zgjidhur falë politikave sociale. “Siç dëgjuam nga kolegët e tjerë, qytete shumë të rëndësishme në Europë kanë pasur akte terroriste, dhunë dhe gjuhë të urrejtjes. Fakti që ne nuk i kemi këto ndasi mes feve dhe racave, fakti që edhe vetë skuadra jonë olimpike është e përbërë nga shqiptarë të natyralizuar, të cilët nuk janë detyrimisht të lindur në Shqipëri, dhe fakti që Tirana po bëhet kozmopolitane, me rreth 144 kombësi, pa pasur konflikte të kësaj natyre, janë vërtet shembuj që duartrokiten kudo në botë, për të cilat edhe ne vetë duhet të jemi krenarë dhe të flasim mirë. Po s’folëm ne mirë për vendin tonë, kush do ta bëjë? Kështu që, ishte vërtet një mundësi për të treguar më shumë për Tiranën dhe për të mësuar edhe nga qytete të tjera që po kalojnë sfida”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku foli edhe për ndalesën e tij të shkurtër në Ohajo, ku u takua me sportistët elitarë të Sport Klub Tiranës. “Kemi pasur një super eksperiencë me skuadrën tonë të Sport Klub Tiranës, që qëllon që është pjesa më e madhe e skuadrës shqiptare olimpike. Ne duam që, në bashkëpunim me Akademinë e Atletikës në Ohajo, t’i trajnojmë sportistët tanë, jo vetëm në karakterin fizik si sport, por edhe për anën psikologjike. Sigurisht, do të vazhdojmë bashkëpunimin me Akademinë e Atletikës në Ohajo, jemi në negociata për të hapur një zyrë të tyren në Tiranë, për të bërë disa klinika sportive në qytetin tonë. Besoj se na ndihmon, teksa përgatitemi për Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’”, u shpreh ai.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të mbështesë jo vetëm sportistët elitarë, por të gjithë të rinjtë që duan të merren me sport. “Do të vazhdojmë t’i ndihmojmë sportistët elitarë, por diferencën e bën sporti në komunitet. Fakti që sot kemi pasur një fluks të jashtëzakonshëm të regjistrimeve në të gjitha shoqatat sportive, konfirmon se prindërit shqiptarë e kanë kuptuar këtë filozofi. Nuk i çojnë fëmijët në sport se do bëhen të gjithë lojtarë olimpikë, por i çojnë aty mbi të gjitha që të kenë mentalitet olimpik. Të jenë të aftë të luajnë në skuadër, të aftë të menaxhojnë një humbje, të aftë të jenë të përulur dhe modestë kur kanë një sukses. Besoj se këto janë karakteristikat e sportit që shkojnë përtej medaljes”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb