Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali, ka reaguar me tone mjaft të ashpra pas vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës kundër katër ish-drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Spiropali e cilësoi verdiktin e shpallur si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj tullave të themelit të lirisë së Kosovës dhe si një përpjekje të hapur për të kriminalizuar një ndërmarrje të tërë çlirimtare përmes një narrative të rreme politike.

Përmes një deklarate publike, Spiropali solli në vëmendje paralelizmin me persekutimin e dikurshëm të regjimit të Beogradit, duke nënvizuar se pasojat e këtij gjykimi kalojnë kufijtë e fatit të katër individëve.

“Serbia e Millosheviçit e dënoi Hashim Thaçin e Kosovës me dhjetë vjet burg. Për 1 arsye të vetme: Sepse Hashim Thaçi nuk zgjodhi zgjedhën, por rezistencën e armatosur kundër robërisë. Sot, në Hagë, nuk u dënuan mizorisht katër individë; Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Përmes gjuhës së përdorur dhe rrëfimit politik u dënua ajo çka në fakt për shqiptarët dhe botën mbarë, pavarësisht si e formuluan, ishte një ndërmarrje çlirimtare”, deklaroi ajo.

Më tej, Spiropali kritikoi strukturën e artikulimit ligjor të trupës gjykuese, duke theksuar se përpjekja për ta cilësuar UÇK-në si ndërmarrje kriminale është një absurde historike.

“Një gjykatë mund të përcaktojë përgjegjësi individuale. Por nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri. UÇK-ja ishte përgjigjja ndaj dhunës shtetërore serbe dhe themeli mbi të cilin u ndërtua liria e Kosovës”, nënvizoi Spiropali, ndërsa lëshoi një thirrje urgjente për reagim institucional ndërshtetëror: “Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë menjëherë një rezolutë të përbashkët që mbron të vërtetën historike të luftës çlirimtare dhe kundërshton çdo përpjekje për fajësi të UÇK-së dhe të një populli të tërë.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb