Pas pensionistëve, shpërblim në fund të vitit do të marrin efektivët e policisë dhe bluzat e bardha.

Përmes një vendimi të publikuar në Fletoren Zyrtare bëhet e ditur se mjekët dhe policët do të marrin bonus, ndryshe nga pjesa tjetër e administratës, për shkak se kanë qenë në vijën e parë të fronit të luftës ndaj koronavirusit dhe kanë punuar me orare të zgjatura dhe të rrezikuar.

Referuar këtyre kushteve pas shpërblimit të pensionistëve do të shpërblehen edhe këto dy kategori, për të cilët pritet një tjetër vendim në ditët e ardhshëm që do të përcaktojë edhe shumën që do të marrë çdo përfitues. Ndërsa vendimi për shpërblim ka hyrë menjëherë në fuqi.

“U miratua vendimi për një shtesë në vendimin nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar në mbështetje të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 12, të ligjit nr. 88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi: në fund të pikës 9, të vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Përjashtimi kufizues sa më sipër nuk aplikohet për institucionet e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e Policisë së Shtetit, mënyra e pagesës së të cilave përcaktohet, përkatësisht, nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit””, thuhet në dokument.

Kujtojmë se qeveria ka bërë një ndryshim në vendimin e viti të shkuar ku thuhej se të gjithë punonjësit e administratës nuk do të marrin asnjë shpërblim të veçantë për festat e fundvitit.

Edhe për këtë vit ky vendim vazhdon të jetë në fuqi, por me një ndryshim, që do përjashtohen mjekët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, ndërsa kategoritë e tjera vazhdojnë të kufizohen nga vendimi i 2019.

“Me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Pika 9, e vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, riformulohet, si më poshtë vijon: 9. Përjashtimisht për vitin 2019, fondi i veçantë i institucioneve qendrore, buxhetore dhe jobuxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike, të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve”, përcaktohej në vendimin fillestar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb