Ndonëse me vendim të Këshillit të Ministrave u vendos që punonjësit e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të merrnin shpërblim, duket se kjo nuk do të ndodhë.

Në VKM-në e marrë më datë 20 dhjetor të këtij viti, ku thuhej se shpërblimi nuk duhet të tejkalonte nivelin e një page mujore, KPA në reagimin e saj sqaron se ky vendimi i qeverisë nuk e mundëson këtë gjë pasi nuk ekziston fondi financiar faktik.

NJOFTIMI I KPA
Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 801, datë 20.12.2021, për një ndryshim në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 929/2010, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, vendosi që punonjësit e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të mund të përfitojnë një shpërblim, që nuk tejkalon nivelin e një page mujore. Sipas këtij vendimi efekti financiar i shpërblimit duhet të përballohet nga fondi që kishte gjendje Kolegji për pagat e personelit, sipas buxhetit të vitit 2021.
Bëjmë me dije se, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me ligjin vjetor të buxhetit për vitin 2021, i është miratuar një fond për pagat e personelit më i vogël se nevojat e tij për të paguar punonjësit sipas strukturës organike të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, problematikë kjo, e cila është rekuperuar vetëm në muajin tetor të këtij viti.

Në këto kushte, fondi i destinuar për pagat e personelit në Kolegj, ishte e pamundur që të kishte teprica, të cilat lejonin mundësinë e shpërblimit të gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tij. Institucionet përkatëse të ekzekutivit, kanë qenë të informuar nga sistemi i thesarit, por dhe zyrtarisht nga Kolegji për situatën e fondit të pagave të personelit në muajin dhjetor 2021. Teprica e vetme në këtë fond, në momentin e miratimit të vendimit të sipërcituar, ishte në shumën 465 000 lekë, për rrjedhojë pa efekt real domethënës për punonjësit e Kolegjit.

Për shkak se ky fond i papërdorur, është i pamjaftueshëm për të mundësuar dhënien e shpërblimit për të gjithë punonjësit e Kolegjit, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që të mos përfitojnë shpërblim sipas këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, gjyqtarët dhe këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor. Shuma prej 465 000 lekësh do të ndahet ndërmjet punonjësve administrativë të Kolegjit, në një shumë bruto prej 25.833 lekësh për person.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb