Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.

Sipas Ruttes, KFOR-i është në aty, në Kosovë, për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, ndërsa misioni paqeruajtës i Aleancës, sipas tij, ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme, por edhe sa i përket zotimit afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Rutte në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel më 14 shtator, kur u pyet nëse është i shqetësuar për trazira të dhunshme të mundshme në Kosovë dhe rajon si rezultat i vendimit, pavarësisht se si do të jetë ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake perëndimore do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, për të siguruar që misioni të përshtatet në mënyrë adekuate me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai theksoi po ashtu se zhvillimet në Kosovë ndikojnë edhe në rajonin më të gjerë, shkruan REL.

Deklaratat e shefit të NATO-s vijnë disa orë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç tha, janë paralajmëruar protesta më 16 shtator.

Ambasada tha se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.

“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, tha Ambasada duke udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë, tha se se ka zhvilluar takim edhe me partnerët ndërkombëtarë, si KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në, ku është prezantuar një plan dhe angazhimet e Policisë lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me 16 shtatorin.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, tha Policia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb