TIRANE- Dhomës Penale në Gjykatën e Tiranës iu deshën dy muaj kohë për caktimin e gjyqtarit që do gjykonte ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe vetëm një seancë për ta shpallur atë të pafajshëm.

Gjyqi ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, i akuzuar për shpërdorim detyre, zgjati vetëm tri seanca, nga të cilat një seancë u shty për mungesë të prokurorit.

Në seancën e tretë gjyqtari Artan Gjermeni dëgjoi konkluzionet përfundimtare të akuzës, mbrojtjen e të pandehurit dhe shpalli vendimin duke i dhënë pafajësi Fullanit.

Ai akuzohet nga Prokuroria për neglizhencë në vjedhjen e 7 milionë dollarëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë dhe shkelje të procedurave në blerjen e Hotel “Dajtit” në vlerën e 30 milionë eurove.

Por akuza e prokurorisë nuk e ka bindur gjykatën, e cila i dha pafajësi guvernatorit në një proces me gjykim të shkurtuar.

Prokuroria i përfundoi hetimet ndaj ish-guvernatorit më 3 shkurt të këtij viti, kur dhe dorëzoi në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj tij.

Për shkak të pushimeve verore, i gjithë muaji gusht kaloi pa ndonjë veprim nga ana e gjykatës, e cila vendosi të nisë shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje më 29 shtator, kur dhe u zhvillua seanca e parë.

Nuk dihet ende arsyeja e kësaj vonese, pasi përzgjedhja e gjyqtarëve bëhet me short elektronik.

Në seancën e datës 29, gjykata çeli shqyrtimin gjyqësor dhe dëgjoi kërkesat paraprake të palëve, ku mbrojtja e Fullanit kërkoi gjykim me procedurë të shkurtuar.

Kërkesa u pranua dhe seanca e radhës u caktua më datë 6 tetor, për dhënin e pretencës nga përfaqësuesi i akuzës.

Prokurori nuk u paraqit në seancën e datës 6, pasi ishte i angazhuar me veprime hetimore të rëndësishme në një çështje tjetër dhe gjykata vendosi të shtyjë seancën më 12 tetor.

Në seancën e djeshme prokurori kërkoi dënimin e të pandehurit Ardian Fullani me 5 vjet burgim për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas akuzës, ish-guvernatori ka përgjegjësi në vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, pasi për një kohë të gjatë nuk i kishte propozuar Këshillit Mbikëqyrës zv.guvernatorin e dytë, i cili është përgjegjës për politikat e sigurisë në Bankën e Shqipërisë.

Si pasojë e këtij mosveprimi, është krijuar lehtësi për të pandehurin Ardian Bitraj dhe bashkëpunëtoren e tij, të cilët janë dënuar për vjedhjen e 731 milionë lekëve në një periudhë 4-vjeçare.

Por ndaj ish-guvernatorit, prokuroria ngriti edhe një akuzë të dytë për moszbatimin e procedurave për blerjen e Hotel “Dajtit” në vlerën e 30 milionë eurove nga qeveria shqiptare.

“Personi nën hetim, Adrian Fullani rezulton të ketë qenë personi që iu ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme. Organi procedues çmon se, megjithë procedurën e ndjekur, prokurimin e drejtpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e komisionit të prokurimit, të gjitha këto veprime kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura datojnë ditë më vonë se Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel “Dajtit” pikërisht Bankës së Shqipërisë”, thotë prokuroria.

Por dhe për këtë akuzë gjykata e shpalli të pafajshëm Fullanin, ndërsa në seancë nuk u lexua vendimi i arsyetuar, por vetëm dispozitivi.

Fullani është i vetmi nga ish-zyrtarët e Bankës së Shqipërisë të dyshuar si përgjegjës për vjedhjen e 713 milionë lekëve, që u hetua më gjatë, pasi prokuroria verifikoi edhe tenderat e kryera gjatë kohës që Banka drejtohej nga i pandehuri.

Ai u arrestua mbrëmjen e 5 shtatorit të vitit 2014, teksa dilte nga zyra e tij në një ambient të marrë me qira, pasi selia qendrore e Bankës së Shqipërisë ishte në rikonstruksion. Asokohe, emri i tij u lidh me skandalin e Thesarit, ku u vodhën 713 milionë lekë.

Për të njëjtën vjedhje prokuroria arrestoi dhe 12 vartës të Fullanit, ku në përfundim të gjykimit vjedhja iu atribuua Ardian Bitrajt e Mimoza Bruzias.

Por pa kaluar 10 ditë nga arresti, më 15 shtator 2014, ish-guvernatori fitoi lirinë në Gjykatën e Apelit nga një trup gjykues i kryesuar nga Alaudin Malaj, tashmë i kallëzuar penalisht për mosjustifikimin e 1.7 milion eurove pasuri.

Akuza zyrtare ndaj Fullanit u ngrit më 3 gusht të këtij viti, kur dosja penale ndaj tij iu përcoll për gjykim Gjykatës së Tiranës.

Sipas prokurorisë, Fullani ishte përgjegjës pasi me veprime e mosveprime krijoi kushtet për vjedhjen e Thesarit nga Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia, si dhe përgjegjës për procedurat antiligjore të tenderit të blerjes së Hotel “Dajtit” në vlerën e 30 milionë eurove për llogari të bankës.

Prokuroria: Do apelojmë sapo të zbardhet vendimi
Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka reaguar edhe prokuroria, e cila thotë se do ta apelojë këtë vendim.

Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se organi i akuzës do t’i drejtohet me një ankim Gjykatës së Apelit Tiranë për të kundërshtuar vendimin e shkallës së parë.

“Sapo të njihet me vendimin e arsyetuar, prokuroria do ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit”, – thanë burime të prokurorisë. Vendimi për të apeluar pafajësinë e guvernatorit vjen pasi prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurit me 5 vjet heqje lirie për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. (Mapo)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: