Sa herë që shkruajmë për kullat, dhe e bëjmë shpesh, ndokush dhe mund të na “keqkuptojë”, a thua se po themi t’i rikthehemi sërish jetës së kullës me frengji si qëmoti, duke ngarë qetë në arat e vogla në gryka e lugina të thellë bjeshkësh, mes një ekzotike orësh e zanash. Nuk është dhe nuk ka si të jetë kjo ajo që duam, kur flasim sot për kullat. Para gjashtë vitesh kemi botuar shkrimin “Turizmi autentik i kullave” (2018) dhe ende më përpara “Kullat e Macukullit dhe mbrojtja e UNESKO-s (2016), apo “Kulla që bien dhe kulla që ngrihen”, dy vite më parë, në vazhdë me të tjerë që kërkojnë të njëjtën gjë, ruajtjen e kullave si trashëgimi, aq më tepër që në këtë tranzicion kemi humbur, nga shembja apo hapja e rrugëve të reja, jo pak kulla të shpallura “monument kulture” prej më shumë se një gjysmë shekulli.

Në të vërtetë keqkuptimi i sotëm është pa të keq, si me thënë në emër të “modernitetit”, kurse keqkuptimi i madh pati ndodhur në regjimin e kaluar, për të cilin kullat ishin çerdhe të reaksionit, prapambetjes, pasi me to indefikoheshin shtëpitë e para, bajraktarët dhe Kapidani, kurse e “reja” internacionaliste ishin shtëpitë njëkatshe të socializmit, apo ndonjë pallat për specialistët e bujqësisë në qendër të kooperativave. Por të kthehemi tek e sotmja, të mund ta zëmë fillin ende pa u këputur krejt, se nesër sigurisht që do të jetë vonë, pasi shembja e mureve do të ketë zbritur nga çatitë në themele dhe trarët e vjetër e të rëndë do të jenë kalbur apo djegur. Vetëm ata që kanë shkelur në Trangë, apo dhe Gjoçaj kanë parë se si disa nga kullat janë ngritur në shkrep, buzë humnerës, si vazhdim i shkëmbinjëve dhjetëra metra të lartë, që ngrihen / bien pingul, varet  se nga i vështron, nga poshtë apo nga lart.

Është e dyta herë që vijmë në Trangë të Selitës brenda pak muajsh, si të nisësh nga toka (Uraka) e të ngjitësh në qiell. Nga larg shihet Munella madhështore, teksa Dejën zgjat dorën dhe e “prek”. Shihet Rrësheni në gropë dhe Burreli në pllajë, të dy qytetet në ultësira, vetëm një orë larg nga këtu. Nëse doni të shihni shëmtinë urbane, ngjituni në këtë mal a ndonjë tjetër dhe kundrojeni peizazhin. Po e tepron, mund të thotë dikush, e si u shihka qyteti dhjetëra kilometra larg, qoftë dhe me dylbi, përpos si një “njollë” në horozont? T’i vrasin sytë disa pallate të stërmëdha, kur i sheh nga larg. Le pastaj nga afër.

Kullat me në fund kanë heshtur dhe këtu si në krejt arealin verior e mbarëshqiptar. Të braktisura janë dhe kullat e Gjoçajt matanë Kanionit të Urakës e deri në Dukagjin e Macukull të Matit. Mendohet se nuk janë dhe aq të vjetra, 3 – 4 shekullore, edhe pse gojë më gojë për kulla të veçanta thuhet se shkojnë deri në shekullin XV. Ne jemi ndaluar te kullat e Locajve në qendër të Trangës, njëra prej tyre e restauruar krejtësisht kohët e fundit. Nuk rrojnë më të moshuarit të na rrëfejnë historinë e tyre, por pasardhësit. Mirashi, 50-vjeçar, thotë për kullën e të parëve të tij në kodër: “Nuk mbahet mend kur asht ndërtue, u përket kastragjyshërve. Ka qenë e madhe, 27 metra e gjatë, trekatshe, me frengji, por e pati djeg E. Hoxha me gjithë kullën e Lufit, ngaqë të zotët e tyne ishin me Gjomarkajt. Me atë rast i ra nji kat dhe tash siç e shihni asht me dy…”

Më mirë se nga rrëfimet e banorëve, pasportat e kullave të maleve janë të gdhendura në portat e tyre të gurta, në simbolikat që tregojnë kultet pagane dhe kryqet që “vulosin” faljen e gjaqeve. Thuajse nuk ka kullë pa shqiponjë të gdhendur në qemerin e portës, në oxhak, apo dhe tavan etj. Nuk ka pasur kurrë rrugë makine për në Trangë, kështu që materiali ndërtimor është mbartur nga burrat me cupil në krah, apo me kafshë pune. Çfarë nuk kanë përdoruar malësorët e hershëm për t’i bërë të forta muret e gurit, gëlqerën, kripën, leshin dhe vezët. Pak matanë kullës së Locit janë gjollët, një rrafshinë plot gurë të bardhë, ku iu hidhej kripë rreth katërqind krerë bagëtive, kurse tashmë nuk dëgjon asnjë kumbonë dhish, as nuk leh qen. Ashtu siç rrallëkund del tym në ndonjë tymtar kulle. Mullarët e vjeçëm me sanë janë aty, në livadhe, pasi kullosa si këtu e s’ka. Ah, po, vetëm një dosë me pesë gica të kuq parakalon në gjithë atë peizazh baritor. Mirëpo, edhe pse dita është me diell, si me qenë pranverë, nuk sheh askënd të jetë duke krasitur pemët, apo prerë ferrat, që do të ishte kujdesi më i vogël për mosdegradimin e bashtinës, që me siguri nesër do t’i “dorëzohet” agroturizmit. Ç’të bësh! Na e ka marrë mendjen asfalti dhe nuk e kthejmë kryet mbrapa. Po aq të vjetra sa kullat janë dhe pemët, arrat, kumbullat, manat etj. Vetëm kur sheh një dardhë madhështore këtu e beson se ka pasur top prej trungu dardhe. Dikush thotë se ajo mund të ishte një monument natyre. E, çfarë kushton? Një “matrikull”, se kaq është ajo që bëjmë ne për monumentet!…

Kullat mesjetare dikur ishin të princërve të njohur, kurse me pushtimin otoman ato u shumuan, duke u bërë fortesa të vogla familjare për banorët e kërcënuar. Qendresa dhe mbijetesa i bëri “princër” malësorët shtëpi për shtëpi. Pa droje mund të thuhet se gjysma e dytë e mijëvjeçarit të dytë kishte sjellë qytetërimin e kullave, përderisa më herët kishim pasur gjer kasolle si shtëpi banimi. Kurse sot, kulla shqiptare, ky monument autentik, po rrënohet me shpejtësi, pa mundur ta shpëtojmë si të tillë, dmth si trashëgimi kulturore e historike. Ky është problemi. Por dhe rivitalizimi i tyre për turizëm familjar, pushime verore e dimërore, shëtitje në natyrë, apo në funksion të agroturizmit, parqeve të bletëve, vreshtave, pemëtarisë, mbarshtimit të tufave të gjësë së gjallë, rezervateve të peshkut, të kafshëve të egra etj. Kësisoj “kulla” është dhe një burim ekonomik të ardhurash, ja që ajo mund të integrohet dhe në ekonominë e tregut. I pamë vetë të shiteshin në euro derkucat në Trangë, shumë më shtrenjtë se në pazarin e Milotit…

Duhen mbrojtuar kullat dhe për të ruajtur habitatin kulturor rretheqark tyre, legjendat, gojëdhënat, toponimet, zejet. Ja, në qendër të Trangës është një muranë që nga lufta me turkun, ku qenë vrarë shtatë burra të një shtëpie, si një memorial në gur, ku askush nuk ulet, vetëm në hedhtë ndonjë lule. Ne pyesim për Shpellën e Dragoit dhe atë të Lugjatit (si mitologjike) me kurreshtjen e njeriut që shkruan, kurse njerëzit që duan t’i japin jetë turizmit këtu, e shohin atë nga këndi i “profesionit” të tyre për eksplorim turistik, duke hapur shtigjet për atje dhe në krejt vargun e shpellave karstike të Kanionit të Urakës, si Shpella e Birme, Shpella me Oxhak, Shpella me dy Dyer, Shpella e Mrizit, Shpella e Kecave etj. Një nga shpellat e famshme është ajo e Fretërve në Lufaj, poshtë Majës së Ngallit, ku dikur kanë qëndruar fretërit për t’u mbrojtur nga urditë e huaja, aq në zgrip të malit, sa vështirë të futesh. Por doemos kryeshpella e Trangës është ajo e Skënderbeut, që përndryshe thirret Shpella e Errët.

Turistët që do të vijnë këtu, më sot më nesër, do të mësojnë se nuk janë vetëm këto shpella të “egra” si vetë terreni i thyer, shumica të panjohura përtej fshatit, por dhe ca të tjera, më poshtë shpateve malore, më të njohura e më të studiuara, si e Këputës, e Nezirit, e Valit etj., si dhe “Qyteza e Skënderbeut” e Bruçit, pasi jemi në pikëprerje të Mirditës me Matin. Vetë lumi i Urakës buron në Mirditë e derdhet në Mat. Ka një interesim më të madh për Kanionin e Urakës, ndër më të mëdhenjtë e më të thepisurit e vendit, që deri më sot e kanë eksploruar vetëm zogjtë dhe tash së voni mbase dhe droni. Nuk do të hyjmë në shifra që kanë të bëjnë me lartësinë, thellësinë, pjerrtësinë, gjatësinë e gjërësinë e tij, për këto e të dhëna të tjera ekologjike, gjeografike e gjeologjike mund të shihen guidat, sado që ne mendojmë se mungon një pasaportë e mirëfilltë turistike e këtij Kanioni, që e përshkon një lumë që herë duket e herë zhduket në shtratin e tij shkëmbor të pashkelshëm nga njeriu.

Por lajmi i mirë tashmë është. Një projekt i gjërë turistik, që nis nga kullat e vjetra, po realizohet prej tre vitesh nga Marianne Graf në Trangë-Lufaj, për të cilin do të flitet me detaje së afërmi, me të përfunduar. Atëherë njerëzit do të shohin se si në një vend ku nuk ka pasur kurrë uji burimesh, ka ndodhur “mrekullia” dhe tash çdo shtëpi e depoziton ujin nga çatia, shirat nuk shkojnë dëm por përfundojnë në një depo uji familjare, pa harruar dhe ujësjellësin e ri të fshatit e të tjera objekte, që nuk jemi të autorizuar t’i ekspozojmë para se të përurohen. Mund të themi se pjesë e këtij realiteti të ri do të jetë dhe një shteg panoramik për turistët, si në alpet e Austrisë e Zvicrës, projekt që pritet të fillojë nga zbatimi së shpejti. Në faqen e “Info – Kulla” Rubik thuhet se projekti “Mirdita Junik” ka për qëllim të promovojë turizmin në rajonet ndërkomunale dhe se ai synon të sjellë ndryshime pozitive, duke përmirësuar shtigjet ekzistuese, ruajtur dhe integruar trashëgiminë natyrore, kulturore etj. Nik Nikolli që merret me menaxhimin e projekteve në terren i njeh njëlloj si vendasit pasuritë turistike të Trangës, Spaçit, Velës etj., duke na folur me imtësi për to, çka e bën dhe gjatë shoqërimit të grupeve të turistëve nëpër Mirditë, Pukë, Mat etj.

Sa rëndësi kanë nisma të tilla, kur mendon se për të kaluar në anën tjetër të Kanionit të Urakës ishin vetëm dy shtigje antike, Shtegu i Mullenit (mulliri i Gjoçajt është nga më të vjetrit e Mirditës) dhe Shtegu i Rrbotit, tepër i ngushtë, ku mund të kalohet vetëm duke ecur ijaz dhe vetëm nga ata që janë mësuar, pasi mëzi është bërë vend sa për të vënë këmbën. Nëse nuk do të ishin këto shtigje “aventure”, dy anët e Kanionit nuk do të kishin “folur” kurrë me njëri-tjetrin, edhe pse banorët ishin të dy palët selitas, të lidhur në miqësi e kumbari.

Për t’u kthyer në Tiranë, në Klos ndjekim Rrugën e Arbërit, duke u lutur dhe ne si gjithë të tjerët që të përfundojë sa më parë tuneli i Murrizit, pasi e përpjeta dhe e tatëpjeta e qafës sipër të përball çdo çast frikshëm me makinat e shumta që e përshkojnë këtë rrugë për në Dibër. Rruga doemos që do t’i “afrojë” të ikurit me kullat e lëna shkret të këtyre anëve të Verilindijes, për t’ua dhënë atyre një dorë, të paktën të mos iu pikojë çatia…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb