TIRANE- Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka, gjithashtu një nga ekspertët e nivelit të lartë për Reformën në Drejtësi, u njoh të premten me rezultatet e hetimit të kryer ndaj tij nga institucioni i vettingut.

Magjistrati mbërriti në Pallatin e Kongreseve 15 minuta përpara nisjes së seancës dëgjimore, e përkrah tij ndodhej ish-kryeprokurori Arben Rakipi, gjithashtu ekspert i reformës, i cili e asistoi në mbrojtje.

Në raportin e trupës gjykuese thuhej se ILDKPKI raportonte se subjekti ka probleme sa i përket justifikimit të pasurisë.

Prokurori i Tiranës, Dritan Rreshka e konsideroi të njëanshëm raportin e ILDKPI. Në 2015, kur drejtonte Prokurorinë për Krime të Rënda, ai deklaroi se ka hetuar zyrtarë të këtij institucioni për veprat penale të korrupsionit, dhe shpërdorimit të detyrës.

Përgjatë 40 minutave, prokurori i karrierës renditi të gjitha provat, si vërtetime bankare, të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, dhe të Zyrës së Tatim-taksave, përmes të cilave tentoi të bindte Komisionin, se pasuritë që disponon janë të ligjshme.

Ai tha se të ardhurat e tij rrjedhin nga puna në emigracion, angazhimi për vite me radhë në një organizate amerikane, paga si prokuror, të ardhurat nga Shkolla e Magjistraturës dhe qiratë.

Rreshka u shpreh se ka qenë korrekt në deklarime dhe se ka paguar çdo detyrim ndaj shtetit.

Si ekspert i nivelit të lartë të reformës, Rreshka deklaroi se nuk është ndjerë aspak mirë që ILKDPKI nuk ka marrë në konsideratë asnjë provat e paraqitura prej tij.

Pasi dëgjoi pretendimet e subjektit të rivlerësimit, kryesuesja e seancës Etleda Çiftja sqaroi publikisht se, Komisioni nuk ka aspak qëllim të hedhë baltë mbi figurën e askujt, dhe se çdo provë e paraqitur prej prokurorit do të shqyrtohet nga trupa gjykuese.

“Ju keni mundësinë të shpjegoni gjetjet e tre njerëzve që nuk kanë ndjekur pas jetën tuaj”, i tha kryesuesja-Dritan Rreshkës.

Etleda Çiftja shkoi më tej, duke e pyetur prokurorin se, “nëse do të ishte ai në vendin e tyre, a do ta konsideronte të nevojshme që dosja të sqarohej?”.

Prokurori tha se për këtë arsye u paraqit personalisht për të dhënë shpjegime e për të dorëzuar prova.
Në përfundim, Dritan Rreshka kërkoi konfirmimin në detyrë, me qëllim që të vijojë të japë kontributin e tij në sistemin e drejtësisë. Vendimi për të pritet të shpallet më 31 korrik.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb