TIRANE– Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani është rikonfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) duke kaluar filtrin e vettingut.

E vetmja pikëpyetje që ngrihej nga KPK lidhej me mosdeklarimin nga ana e Dvoranit, e llogarive bankare në deklaratën vetting, por që është konsideruar harresë dhe jo fshehje pasurie. Në raport thuhet se pavarësisht se ILDKPI shprehet se gjykatësi ka kryer fshehje pasurie, nga hetimi administrativ, është provuar se llogaritë bankare në emër të tij, bashkëshortes dhe personave të tjerë të bashkëlidhur, janë deklaruar ndër vite, por jo në deklaratën vetting.

Komisioni u shpreh se ILDKPKI përpara se të hartonte raportin duhet ta thërriste subjektin dhe ta pyeste për mosdeklarimin e likuiditeteve në shumën e 9.9 mln lekëve, për sa kohë gjyqtari i lartë është shprehur se ishte harresë për shkak të punës. Sipas komisionit, pavarësisht gjetjeve të Inspektoratit, nga hetimi është provuar se Dvorani ka burime të mjaftueshme financiare, për të justifikuar jo vetëm likuiditetet, por të gjitha pasuritë, për të cilat ka bërë deklarime të sakta.

Në të njëjtën linjë me komisionin, ishte edhe vetë subjekti i cili pranoi se ka pasaktësi në plotësimin e deklaratave, ku siç shpjegoj konstatoi me shumë vonese që mungonin katër faqe, por pavarësisht kësaj, nuk u thirr asnjëherë nga Inspektorati për të dhënë shpjegimet e tij. Sa i përket komponentit të dytë të Vettingut, figurës morale, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ka deklaruar se Ardian Dvorani është i përshtatshëm për vijimin e detyrës, pasi nuk ka asnjë dyshim për përfshirjen e tij në korrupsion dhe ska asnjë lidhje me eksponentë të krimit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb