Prej 6 vitesh Inter nuk arrin të kualifikohet në “Champions League” duke kaluar një nga periudhat më të errëta të klubit, por kjo periudhë kohore ka gjasa të zgjatet akoma edhe më shumë nëse zikaltërit nuk fitojnë 2 ndeshjet e fundit.

Të shtunën në “San Siro” skuadra do të luajë kundër Sassuolo-s para 70 mijë të pranishmëve ‘betejën’ e parë dhe për këto arsye Spalletti ka marrë masat për t’u përgatitur mirë.

Por për t’iu dhënë zemër lojtarëve dhe për të rritur harmoninë në grup ka menduar edhe vetë klubi, i cili sot në qendrën sportive “Appiano Gentile” ka ftuar për t’u stërvitur disa nga yjet e Interit të Tripletës, si Zanetti, Materazi, Chivu, Cambiasso, Samuel, etj.

Në fakt ata jenë pjesë e skuadrës Inter Forever, e përbërë nga ish futbollistë zikaltër, të cilët do të luajnë në një turne miqësor në Angli, përballë Chelsea Leggends dhe Norwich Leggends.

Ndaj edhe pasditen e sotme, për të rikuperuar disi nga forma e tyre, janë stërvitur me skuadrën e Spallettit. Natyrisht që ky moment mund të shërbejë edhe si një motivim më shumë për futbollistët aktualë të zikaltërve, që të synojnë majat, ashtu si këta ish futbollistë në vitin 2010.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb