NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Karroatrecët e Bashkisë së Tiranës mëngjesin e kësaj të premte kanë nisur aksionin për largimin e mjeteve të braktisura nga lagjet e Tiranës. Policia Bashkiake dhe ajo Rrugore në lagjen “Ali Demi” larguan një mjet, i cili është konstatuar i palëvizur prej kohësh në këtë lagje, dhe përbënte pengesë për parkimin e mjeteve të banorëve.

Por nga konstatimi i 15 ditëve më parë dhe deri më sot, pronari jo vetëm që nuk e lëvizi këtë mjet, por i ndryshoi edhe targat duke i vendosur targa të huaja, gjë e cila penalizohet me gjobë.

Njoftimi prej 15 ditësh për lëvizjen e këtyre mjeteve, nuk u ka mjaftuar disa pronarëve të cilët me mbërritjen e karroatrecëve kanë filluar t’i largojnë duke shpëtuar nga penalitet dhe sekuestrot e mundshme nga Policia Rrugore.

Ky aksion për lirimin e hapësirave publike do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Zënia e hapësirës publike me makina të braktisura nuk do të tolerohet nga Bashkia e Tiranës.

Karroatrecët e policisë kanë nisur të largojnë nga rrugët këto makina pa pronar, të cilët uzurpojnë parkimet e banorëve. Pas konstatimit të mbi 100 mjete dhe njoftimeve për largim, policia ka nisur penalizmin dhe largimin e tyre.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb