KORÇË

Mbërrin nën masa të larta sigurie në Gjykatën e Korcës, Myrteza Çaushi, (Zani) i cilësuar si kapobanda i Vlorës. Gazetarja Lorena Kodra tha për ‘BalkanWeb’ se krahas masave të rrepta në Gjykatë, policia ka bllokuar gjithashtu të gjitha rrugët kryesore të qytetit që të cojnë në Gjykatë. Zani Çuashi ka kërkuar liri me kusht nga Gjykata. Myrteza Çaushi referuar vendimeve gjyqësore është dënuar me formë të prerë me burgim të përjetshëm.

Zani Caushi i ka nisur herët përpjekjet për të fituar lirinë me kusht, betejë të cilën po e zhvillon në gjykatën e Korçës. Një vit më parë, në korrik të 2019, gjykata e Korçës, pranoi një kërkesë të vlonjatit duke i përllogaritur kohën e qëndrimit në paraburgim. Referuar vendimit rezulton se njeriu i konsideruar si ‘i forti’ i Coles, u arrestua në shtator të 1997 dhe pas një beteje të ashpër që zhvilloi me gjykatën mundi të marrë pafajësinë dhe të lirohet në mars të 1999.

Pas një përplasje me armë ku la të vrarë dy persona dhe u plagos dhe vetë, Zani Caushi u rriarrestua në nëntor të 1999 dhe prej asaj kohe qëndron në qelitë e burgut, pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për krijim bandash të armatosura, vrasje, pengmarrje, plagosje etj. Në gjykatën e Korçës ai ka pretenduar se koha e paraburgimit nuk i është llogaritur, fakt i cili është pranuar dhe drejtësia ka vendosur në favor të tij. të gjithë lëvizjet si dhe kërkesat për ulje dënimi, Zani Caushi i ka bërë me qëllimin e vetëm që të mund të arrijë të bëjë kërkesën për liri me kusht.

Neni 65 i Kodit të mëparshëm penal, para ndryshimeve të 2017, parashikon që “Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur: Ka vuajtur jo më pak se 25 vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij”. Pikërisht këtë nen, është duke shfrytëzuar ish i forti i Coles për të dalë në liri. Kjo pasi ndryshimet e fundit në Kodin penal nuk e favorizojnë atë. Kodi aktual penal, konkretisht neni 65 ku flitet për lirimin me kusht parashikon se në raste të jashtëzakonshme mund të lirohet i dënuari me burgim të përjetshëm, kur ka vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim.

Myrteza Caushi referuar vendimeve gjyqësore është dënuar me formë të prerë me burgim të përjetshëm përpara ashpërsimit të këtij neni në Kodin Penal.  Ish-kapobanda i Vlorës, po ndjek të njëjtën strategji dhe po shfrytëzon të njëjtat hapësira ligjore sikurse ish të dënuar të tjerë të përjetshëm të cilët kanë mundur të lirohen me kusht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb