Pamjet që shihni tregojnë aksionin për asgjësimin nga policia të kanabisit të sekuestruar në një serë në Dimal të Beratit.

Sera me lëndë narkotike u zbulua dje, ndërkohë që 150 persona u shoqëruan në polici. Gazetarja Eneida Petova ka siguruar për BalkanWeb pamjet nga aksioni.

HETIMET
Burime të besueshme nga Prokuroria e Beratit konfirmojnë se është sekuestruar 800 kg lënde narkotike (hashash), pjesa me e madhe e paketuar dhe e bërë gati për tregtim.Të njëjtat burime konfirmojnë se, numri i personave të armatosur që janë arrestuar është 9 dhe të gjithë meshkuj, të cilët ruanin parcelat me hashash nga jashtë si dhe prodhimin e hashashit brenda serave. Edhe pse ende nuk bëhet i ditur asnjë gjeneralitet i të arrestuarve, konfirmohet se asnjë nga punonjësit, duke filluar nga gratë që punonin brenda serave në kultivimin,vjeljen dhe paketimin e lëndës narkotike e deri tek drejtuesit, mbikëqyrësit, rojet etj nuk janë nga qarku i Beratit.

Burimet nga Prokuroria e Beratit konfirmojnë se të gjithë të arrestuarit janë nga zonat e veriut të Shqipërisë, pjesa më e madhe nga Fushë-Kruja dhe Lezha. Po kështu, burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat bëjnë me dije edhe skemën e funksionimit të kësaj ferme hashashi, që lulëzonte prej më shumë se 3 muajsh në mes të serave të tjera në tokat bujqësore të fshatit Drenovicë. Sera ishte marrë me qira dhe gratë që punonin në të flinin prej muajsh brenda serës me një sipërfaqe rreth 2 hektarësh, ku ishin përshtatur edhe ambiente fjetjeje me dyshek me ajër dhe dushe për t’u larë.

Sipas policisë, kjo mënyrë funksionimi e fermës së hashashit e ka bërë të vështirë identifikimin e saj,pasi gratë nuk dilnin asnjëherë jashtë,ndërkohë që meshkujt iknin e vinin me mjetet e tyre private në zonë por edhe kjo nuk është dukur e dyshimtë pasi dihej që sera ishte marrë me qira dhe në disa raste,për të mos rënë në sy nga pronarët e tjerë të serave përreth,vileshin dhe ngarkoheshim për tregtim domate e perime të tjera,që kultivoheshin në një perimetër të caktuar brenda kësaj sere. Mësohet se sera është në pronësi të shtetasit Xhimi Dyli, i cili po merret në pyetje nga policia për të bërë të mundur arrestimin e personave që ua kishte dhënë me qira, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur ende.

Parcelat e hashashit në fshatin Drenovicë në bashkinë Dimal u zbuluan dhe asgjësuan mëngjesin e sotëm gjatë një aksioni “top secret” të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Lënda narkotike ishte mbjellë në një sipërfaqe prej 2 hektarësh dhe serat ku ndodhej kanabisi kanë qenë ngjitur me atë të domateve dhe perimeve të tjera të mbjella brenda tyre. Paketimi, sistemimi i drogës dhe përpunimi i saj kryhej brenda serës nga gratë e punësuara nga organizatorët dhe kokat e këtij aktiviteti kriminal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb