Një incident është regjistruar mesditën e sotme në zonën e Zvërnecit, pranë Manastirit, ku dy autobusë janë bllokuar gjatë tentativës për t’u shkëmbyer në një segment të ngushtë rruge.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 në rrugën e Sazanit. Sipas të dhënave paraprake, një autobus i markës MAN me targa AB108RP, gjatë manovrës për të kaluar një autobus tjetër, ka dalë pjesërisht nga karrexhata, duke nxjerrë jashtë rruge dy gomat e anës së djathtë.
Për pasojë, mjeti ka mbetur i bllokuar, duke penguar qarkullimin në këtë segment rrugor. Në vendngjarje ndodhen disa persona që po punojnë për zgjidhjen e situatës dhe nxjerrjen e mjetit nga pozicioni i vështirë.
Sipas informacioneve, në autobusa ndodheshin nxënës që ishin në një udhëtim shkollor. Megjithatë, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Situata është shkaktuar nga ngushtësia e rrugës dhe vështirësia për kalimin e mjeteve të mëdha në këtë zonë.
