Eurodeputetët kanë kritikuar në Strasburg, kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij, lidhur me ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, duke i cilësuar kundër direktivave të Bashkimit Europian
Eurodeputetja italiane Christina Guarda, e cila vizitoi disa ditë më parë Shqipërinë, dhe iu bashkua protestës kundër Edi Ramës, ka bërë kritika të forta duke thënë se janë vendime të qeverisë që është peng.
“Kemi dëgjuar nga ministri që nuk është dhënë një leje ndërtimi. Kemi parë që janë bërë rrethime, gardhe që nuk lejojnë njerëzit të kalojnë dhe kemi identifikuar makina, që shërbejnë për të kryer ndërtime në zonën e mbrojtur. Kur shkuam atje, diskutuam me ministrin dhe ai dukej sikur nuk ishte në dijeni të kësaj situate. Dhe tha që kjo ndoshta ishte bërë për përgatitjen e testeve që nevojiteshin, për të bërë vlerësimin mjedisor dhe vlerësimin e projektit. Nëse nuk jepet leje për të kryer një testim të caktuar, ne kemi aplikime dhe zona të caktuara. Nuk është e nevojshme që të bëhet gardhi. Ai na tha që ne nuk jemi pjesë e BE-së akoma. Kjo ishte e vështirë për ta kapërdirë. Komisioni ka thënë që duhet të tërhiqeni nga këto ndryshime. Kemi parë deklarata që protesta po kërcënojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por nuk janë protestat që po e kërcënojnë, por hapa pas që po bëhen”, tha mes të tjerash ajo.
Edhe deputeti gjerman Sebastian Everding kritikoi modelin e turizmit që ka zgjedhur Shqipëria, ndërsa theksoi se mungon transparenca dhe shteti ligjor.
“Shqipëria ka peizazhe dhe pasuri natyrore. Është një avantazh i madh konkurrues me vendet e tjera ajo që ka Shqipëria. Po mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse respektohet natyra, shteti ligjor dhe transparenca”, tha ai.
