15 urgjenca kanë mbërritur në Spitalin Infektiv në më pak 1 orë e 30 minuta, ç’ka dëshmohet përmes pamjeve të filmuara në orët e mesditës të ditës së martë.

Pacientët në gjendje të rënduar kanë pritur mbi një orë brenda autoambulancave për një vend të lirë në urgjencë në një kohë që spitali i ka të ezauruar shtretërit.

Burime për News24 konfirmojnë se spitali infektiv ka pritur në 24 orët e fundit 46 urgjenca nga Tirana dhe rrethet e Jugut, ç’ka ka çuar në zënien totale të shtretërve në Covid 1 dhe covid 3. Ndërkohë spitali Covid 4 ka ende shtretër të lirë porse ky spital shërben për trajtimin postkovid të pacientëve.

Në total tre spitalet covid 1, 2 dhe 3 numërojnë mbi 330 pacientë të shtruar.

Ndërkohë Sanatoriumi konsiderohet i tejmbushur prej të paktën 1 jave. Burime për News24 tregojnë se në 24 orët e fundit kanë mbërritur 27 urgjenca mjekësore ndërsa spitali nuk ka më shtretër pasi 220 shtretërit e tij janë të zënë me pacientë të rënduar me dy ose më shumë burime oksigjeni.

Gjendja e rënduar brenda spitaleve covid në Tiranë ka provokuar indinjatën e familjarëve që presin para spitaleve. Një grua që kishte të shtruar baban në Infektiv akuzoi publikisht dhe në polici zhdukjen e sendeve personale të babait 82-vjeçar brenda spitalit covid 1. Por 30 minuta pas denoncimit ajo thotë se është thirrur nga administrata e Infektivit për të marrë sendet e bashkëshortit.

Ndaj denoncimit ka reaguar spitali “Nënë Tereza” që jep kryekëput një tjetër version të ngjarjes. Sipas zyrës së shtypit, vajza e pacientit ka kontaktuar fillimisht kryeinfermieren e shërbimit, por nuk ka mundur t’i marrë sendet personale të babait të saj për mungesë të kartës së identitet. Më pas vajza është rikthyer me mjetin e identifikimit dhe pas kësaj kryeinfermierja i ka dorëzuar sendet personale.

Ndërkohë një tjetër familjar i infektuar me Covid pohon se ka lënë karantinën për të shoqëruar bashkëshorten në spital pasi gjendja e saj ishte rënduar ndjeshëm në 24 orët e fundit.

Bashkëshorti i 46 vjeçares nga Kamza pohon se gjatë kurimit në banesë të gruas ka paguar 500 mijë lekë kurën medikamentoze, përfshirë aparturën e oksigjenit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb