Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale pas vendimit për të udhëtuar me klasin ekonomik gjatë një fluturimi 21-orësh drejt Kinës, ku ndodhet për të marrë pjesë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Udhëheqësja 64-vjeçare mbërriti të hënën, më 16 nëntor, në Aeroportin Ndërkombëtar Shenzhen Bao’an, pas një udhëtimi të gjatë me një fluturim të kompanisë China Southern Airlines. Sipas raportimeve të Bloomberg, Sheinbaum ishte ulur në vendin 33B, një ndenjëse e zakonshme në pjesën e pasme të avionit.
Vendimi i saj për të mos përdorur një avion privat apo një vend në klasën e biznesit është komentuar gjerësisht në Kinë. Një hashtag që lidhet me mbërritjen e saj modeste është përdorur më shumë se 10 milionë herë në platformën kineze të mediave sociale Weibo.
View this post on Instagram
Përmes një postimi në rrjetin social X, Sheinbaum bëri të ditur se kishte udhëtuar drejt Shenzhenit për të përfaqësuar Meksikën në forumin APEC, ku në axhendë kishte takime me përfaqësues të biznesit nga vendet anëtare, si dhe pjesëmarrjen në një konferencë për shtyp.
Sipas mediave meksikane, presidentja kishte mbërritur në aeroportin e Meksikos rreth orës 23:00 të së shtunës, për të marrë fillimisht një fluturim drejt Tijuanës. Më pas, ajo u nis me fluturimin CZ8032 drejt Shenzhenit, ku mbërriti të hënën paradite, sipas orës lokale.
Gjatë qëndrimit në Kinë, Sheinbaum publikoi edhe një video nga një takim me qytetarë meksikanë që jetojnë dhe punojnë atje. Ajo i cilësoi ata si një burim krenarie për Meksikën.
Ky nuk është rasti i parë kur një president meksikan zgjedh të mos përdorë avionin presidencial. Edhe ish-presidenti Andrés Manuel López Obrador, pasi mori detyrën në vitin 2018, refuzoi udhëtimet me avionin zyrtar dhe preferoi fluturimet e zakonshme komerciale.
Në prill të vitit 2023, López Obrador shiti avionin presidencial Boeing 787 te Taxhikistani për rreth 92 milionë dollarë. Avioni ishte blerë fillimisht për rreth 200 milionë dollarë dhe ishte përdorur nga paraardhësi i tij, Enrique Peña Nieto. Në atë kohë, López Obrador deklaroi se të ardhurat nga shitja do të përdoreshin për ndërtimin e dy spitaleve.
