Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar homazhe dhe vendosi kurorë me lule tek monumenti i Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, në qytetin e Durrësit, me rastin e 80-vjetorit të nisjes së rezistencës Antifashiste.


Në homazhe, siç shihet në videon e siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Haxhiaj ka qënë i pranishëm edhe kryebashkiaku Dako. Në një moment ai është shfaqur shumë pranë Presidentit e nisin të bisedojnë.

Nuk dihet se çfarë po pëshpëritin me njëri-tjetrin dy politikanët, por në video ata janë fiksuar shumë pranë.

Presidenti i Republikës u shpreh para mediave të pranishme: “Edhe pse populli thotë ‘7 prill mos ardhsh kurrë!’ përsëri 7 prilli vjen çdo vit dhe ne jemi sot këtu në Durrës pikërisht në këtë 80-vjetor për të kujtuar me krenari të pafund Mujo Ulqinakun dhe të gjithë ata ushtarakë dhe vullnetarë, të cilët i qëndruan betimit ‘Për Atdhe e për Flamur’. Dhe të cilët me qëndresën e tyre heroike ndaj njërës prej fuqive më të mëdha të kohës bënë krenar çdo shqiptar njëherë e përgjithmonë dhe jo vetëm kaq, por e kthyen 7 prillin në ditën e parë të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar duke vendosur me sakrificën e me gjakun e tyre vendin tonë në anën e duhur të historisë, por edhe të qytetërimit.

Ndaj edhe jam sot këtu për t’u përulur me nderim të jashtëzakonshëm përpara një ushtaraku aq të thjeshtë sa ç’ishte Mujo Ulqinaku, i cili me vetëdije të plotë i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm historik Atdheut dhe kombit tonë, duke dhënë mesazhin e sakrificës më sublime në emër të dinjitetit kombëtar.”

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb