Në emisionin “Autokton” të autores Anila Ahmataj, u trajtua histori e Mustafa Bimos, i cili solli 62 të vrarë të Beratit në 1847 të futur në kripë.

Deri në hyrjen e osmanëve në Ballkan dhe marrjen e princërve vendas si peng në Adrianopojë nuk kemi të dhëna, por në shek XVIII ato shfaqen me një arritje të skajshme kur Emin Bej Bimo lufton po kalorës në betejën e Krimesë dhe mes të tjerave tregon se si ka qëlluar me pisqollë një oficer rus në përplasje me kuaj në gjysmëerrësirë. Në kohën që kali i rusit u ngrit, pasi u godit në fytyrë rusi mbuloi fytyrën me duar tërë gjak. Më pas ai falë devotshmërisë dhe guximit në luftë u emërua Emin pasha. Ka gjasa që plumbin e rrallë nën nofull që i ka dalë në syrin e djathtë e ka pësuar heroi i madh rus Feldmarshalli i mëvonshëm Mikhail Kutuzov, fitimtar edhe ndaj Napoleonit. Edhe i biri Idriz pasha, në shek 19 figuron instruktor kavalerie në akademinë ushtarake në Stamboll.

Një personazh i këtij mbiemri lind në fundshekullin e XVIII i quajtur Mustafa Bimo Kanina  rreth vitit 1796, i cili do të krijojë një vazhdimësi solide luftarake nga pasardhësit e tij. Veç kësaj trashëgimia aristokrate fisnore Bimo, disponon sipërfaqe të mëdha pronësore me fshatra brenda tyre, (në dokumentat osmanë numërohen rreth 14 çifligje nga miniera e kripës Dhrovjan, zonat rreth Kaninës, Kaninë, Myzeqe e Vlorës e deri në Shkumbin (në gjysmën e parë të shek. 19) fabrika vaji dhe të ardhura të mëdha nga tregëtia e mjaltit të famshëm të Kaninës, të cilin e prodhonin me shumicë. Një punishte lëkurësh si dhe bashkëpronësi me tregëtarë armenë në disa anije transporti me vela të linjave  të shkurtëra Greqi dhe itali. Sasia pronësore e kish arritur dhe tejkaluar shumë herë titullin aristokrat “Bej”, titull osman i barazvlefshëm me “Kontin” e perëndimit, por në vlerësimin perandorak kishte dhe tregues negativë, si rebelimi të kësaj familjeje të madhe. Një tjetër familje e madhe shfaqet e fuqishme në Kaninë në periudhat e Perandorisë Osmane, familja Vlora, e cila me shërbimet sjellë Portës së Lartë, që nga admirali Sinan pasha, dhëndërr i Sulltanit, e deri tek Ferid Pasha, Vezir i Madh, kryeministër perandorak 1908, më shumë vlerat e tyre të jashtzakonshme i kanë derdhur Stambollit, se Shqipërisë. Kjo familje nuk donte kurrë të rivalizonte me asnjë, prandaj i luftonte në çdo lloj mënyre krerët e tjerë, por dhe punët e tyre me natyrë kombëtare, prandaj zhvendosja e saj në Stamboll dhe në çiflig, në Vlorë, solli një frymarrje të së paku tre familjeve luftarake, që si krerë nënshkruanin tashmë për Kaninën legjendë. Ato do ti shohim në krye jo vetëm të Kaninës, por gjithë Kazasë së Vlorës, fakt që tregonte qartë se të bëje pjesë, jo të ishe udhëheqës me një përgjegjësi luftarake dhe diplomatike i këtij vendi lavdie, ishte në kufijtë e të pamundurës.

Fillimshekulli 19 krijoi me Pashallëkun e Janinës një situatë të nderë në krerët e Jugut shqiptar, për shkak se Veziri Ali pashë Tepelena po zgjeronte territoret e domenit të tij duke ushtruar një terror dhe duke vrarë pabësisht bejlerët vendas, për të cilët ishte i sigurtë se nuk do të bashkpunonin me të. Kjo solli një frymë luftarake kundërshtuese nga paritë aristokrate, pasi dihet që vetë pashai plak vinte me këtë titull, nga rinia e hershme si grabitës e vrasës e që perandoria e manipuloi. Pashallëku pati fundin e hidhur, atë të paraqitjes së kokës së pashait si kundërshtar i Padishahut (sulltanit) në Ibret Tashe At Mejdan, disa kamare në Stamboll ku ekspozoheshin kokat e kundërshtarëve perandorakë.

Kundërshtar edhe i Pashallëkut, si domen personal. Mustafa Bimo Kanina i ri kalon ushtarak në Berat, pasi aty ndodhej Ismail Pashë Vlora, i cili së bashku me kunatin e tij Kurt pashë Ngrurëzën u bënë barrierë e pakapërcyeshme ndaj pashallëkut, duke e lënë një lloj ishull Beratin. Por rebelimit të vazhduar të këtij pashai kaninjot i bashkohet edhe marrveshja me grekët e Joanis Kapodistrias, kreu i shtetit grek, së bashku me Zylyftar Podën etj. Serasqeri i Rumelisë, Mehmet Reshit Pasha u tha në një raport të sulltanit se kish vepruar jashtë politikës së Portës, sidomos me shqiptarët dhe sulltani lëshoi një urdhëremërim si Vali të Janinës Zylyftar Podën, ndërsa sundimtar të Beratit Ismail pashë Vlorën. Ky i fundit megjithë se u vu në dijeni të kurthin nga Poda  u nis për në Janinë me një numër të madh trupash shoqërues, brenda pallatit dhe jashtë tij. Si besnik dhe luftëtar Mustafa Bimo Kaninës i takoi të bënte pjesë në trupat jashtë, ndërsa ata që shkuan shoqërues bashkë me pashën kishin në krye Halil Hysenin etj. Më 5 janar 1829 Ismail pashë Vlora u vra tradhëtisht nga pas në pallatin e serasqerit në Janinë me dy plumba kobureje, së bashku me trimat shoqërues , pasi në kurthin e mirëmenduar fshehur në dhomat e sarajeve qëndronte një numër i madh trupash të stërvitur osmanë, dhe në një mjedis të pamundur luftimi ata u grinë me thika me rojet e sundimtarit turk. 

Trupat shoqërues jashtë nuk kishin asnjë lloj mundësie të hynin në luftime, pa njohuri mbi masakrën. Aty bënin pjesë dhe kaninjotë besnikë si Hadër Sulo dhe Mustafa Bimo Kanina.

Koka e prerë e Ismail pashë Vlorës, njësoj si ajo e Ali pashës u dërgua në Stamboll. Por trupave jashtë sarajeve ushtria osmane kërkoi me një tabor të saj ti asgjesonte, por ata të shokuar nga ngjarja e papritur mundën vetëm të largoheshin. Me ta ishte dhe një trim 18 vjeçar, që do të bëhej luftëtar legjendë, Zenel Gjoleka nga Kuçi i Kurveleshit, të cilit i ngarkojnë misionin e hakmarrjes ndaj të besuarit e sulltanit në armatën osmane, Kaftan aganë të cilin e ekzekutoi.

Por me kalimin në fron të sulltan Abdyl Mexhdit, ai shpalli më 3 nëntor 1839 “Hati sherif i gjylhanesë” (Dekret i shenjte i Pallatit të Trëndafilave) me emrin Tanzimat, reformë centralizuese osmane, që rrezikonte së pari klasën feudale opozitare të Portës së Lartë në Shqipëri, e cila zhdukej përfundimisht pasi strukturës administrativo-ushtarake do ti përgjigjeshin nëpunës osmanë si për mbledhjen e taksave ashtu dhe ushtarakë të tillë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak perandorak. Deri në këtë kohë shqiptarët kishin shkuar në luftë në një lloj forme mercenarie me pagesë. Kjo reformë me emrin “Nizami Xhedid” u bë shkaku kryesor i rebelimit dhe shpërthimit të kryengritjes më të madhe antiosmane të shekullit 19. Në këtë pikë prekej direkt popullsia në masë, dhe hakmarrja osmane ishte afatgjatë, pasi këtë gjeneratë të rinjtë 17 vjeçarë i dërgonin enkas për toturë në skajin më lindor të perandorisë, në Jemen, ndnëse atje në atë mjedis shkretinor kishte popullësi të paktë nomade, ndërsa për rebelime për të cilat duhej ushtria, as që bëhej fjalë. Rekrutët shqiptarë niseshin nga skela e Vlorës me vaporin Haxhi Daut, dhe vendi aq i largët për ta quhej “Mollë e Kuqe” ndërsa klima “Piqet buka në diell”. Dhe vërtet, me të mbërritur në ato kushte vdekjeprurëse djemtë bërtisnin “Duam Dautin, Duam Dautin” për vaporin që i solli, por shërbimi 7 vjeçar do ti takonte shumicën vetëm me vdekjen. Për këtë shkak u këndua balada e famshme shqiptare “Mbeçë more shokë mbeçë..”

Në këngët popullore të kohës vërehet fare qartë pezmi në fjalët e trishta të të rinjve shqiptarë ngarkuar me dhjetra kilogramë pajime, dhe ecnin qindra kilometra në këmbë me marrsh nën diellin përvëlues, nga ku pjesa më e madhe nuk kthehej më pas 7 vjetësh shërbim torturonjës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: