Një nga autorët e dyshuar të grabitjes me armë në një argjendari në Kamëz, e ndodhur pak ditë më parë, është arrestuar.

News24 ka siguruar pamje të reja nga grabitja me kallashnikov e argjendarisë. Siç shihet në video një nga autorët e grabitjes është rrëzuar në momentin kur është futur në argjendari.

Gjithashtu kujtojmë se ditën e grabitjes gjatë arratisjes pasi grabitën argjendarinë, dy autorëve u kanë rënë disa bizhuteri, të cilat janë gjetur nga policia në ndjekje.

Ndërsa pas arrestimit të 22-vjeçarit policia nuk ka gjetur bizhuteri në banesën e tij.

Në pranga është vënë 22-vjeçari Elez Hysa nga Kruja. I riu u kap në Malësinë e Krujës dhe gjatë kontrollit në banesë atij i janë gjetur rroba dhe sende të tjera të djegura, të cilat dyshohet se i ka përdorur gjatë grabitjes.

Po ashtu, burimet sqarojnë se janë gjetur edhe disa kuti bojërash, të cilat dyshohet se janë përdorur për lyerjen e motorit, që ti shmangeshin identifikimit nga policia.

Para hetuesve 22-vjeçari Hysa e ka mohuar përfshirjen në grabitje. Ai rezulton me precendent për kultivim kanabisi, ndërsa tashmë do të hetohet për veprën penale “Vjedhje me dhunë”. Mësohet se policia ka identifikuar edhe autorin tjetër dhe po punon për kapjen e tij.

Arma me të cilët dy të rinjtë kryen grabitjen nuk është gjetur ende, madje as edhe motori me të cilin u larguan pasi kryer grabitjen e bizhuterisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb