Një skenë jo e zakonshme për diplomacinë u pa të hënën në mëngjes në Nairobi, ku Presidenti francez Emmanuel Macron la mënjanë kostumin zyrtar dhe u shfaq me atlete, duke vrapuar në rrugët e qytetit përkrah legjendës së maratonës Eliud Kipchoge.
Macron ndodhet në Kenia për Africa Forward Summit dhe u filmua gjatë një stërvitjeje të mëngjesit, ku ai dhe Kipchoge vrapuan së bashku në një ritëm të qetë, të shoqëruar nga një grup vrapuesish dhe shërbimi i sigurisë presidenciale. Pamjet e presidentit francez duke vrapuar krah një prej sportistëve më të mëdhenj të historisë së maratonës u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke sjellë një moment më të lirshëm në një agjendë të ngjeshur diplomatike.
“Eliud Kipchoge konsiderohet si një nga vrapuesit më të mëdhenj të të gjitha kohërave,” u theksua gjatë aktivitetit, i cili shërbeu si hapje simbolike e samitit dyditor.
Takimi “Africa Forward” bashkon në Nairobi liderë shtetesh, investitorë dhe përfaqësues të inovacionit nga Afrika dhe Evropa, me fokus në bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturën, energjinë e gjelbër, teknologjinë dhe arsimin. Si pjesë e samitit, Kenia dhe Franca kanë nënshkruar gjithashtu një sërë marrëveshjesh në fusha si transporti, energjia e rinovueshme, transformimi digjital dhe bujqësia, duke synuar forcimin e partneritetit mes dy vendeve.
