Të dënuar por jo të dorëzuar, Man.City nuk ka ndërmend ti hap rrugë askujt, rikthehen në fushë dhe thyejnë pastër West Ham, në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të Premier League. Diskutimi nuk bëhet më për të rivalizuar Liverpool pasi diferenca është e frikshme 22 pikë por as të lëshojnë asgjë, vijojnë të besojnë se mund të shfuqizojnë dënimin e dhënë nga UEFA.

Ndaj West Ham gjithçka u zgjidh shumë thjeshtë, me nga një gol për pjesë, fillimisht ishte Rodri ai i cili kaloi “qytetarët” në avantazh ndërsa në pjesën e dytë De Bruyne sigloi shifrat në 2-0. Më shumë se sa ky trepikësh, interesi i mediave ishte i madh pas ndeshjes për të mësuar diçka më shumë mbi të ardhmen e Pep Guardiolës:

“Qëndroj këtu me 100%, gjithnjë nëse nuk më shkarkojnë. Nuk kam asnjë dyshim, qëndroj këtu. Ky klub është i veçantë, deri në fund të kontratës do të qëndroj këtu. Pse duhet të largohem? E dashuroj këtë shoqëri, përse më duhet të largohem, aq më tepër në këtë situatë. Në 3 muajt e ardhshëm do të mendojmë vetëm për sezonin, më pas do të shohim se çfarë do të ndodh me vendimin, gjithsesi nuk më intereson, do të qëndroj këtu. Për sa i përket dënimit, jemi optimist. Në fund e vërteta do të dal, nëse do të kualifikohemi në Champions, do të jemi aty, theksoi Guardiola duke i dhënë fund dilemave mbi të ardhmen e tij.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb